Lajme

Gazetari ia thotë Kurtit: Pate premtuar se nuk do futesh në politikë, çka ndodhi?

11/20/2021 16:59
nga:M K

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një intervistë me zë për revistën online “Monocle”ka folur për dialogun me Serbinë, referendumin e mundshëm për bashkim me Shqipërinë dhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Kurti tha se në të ardhmen do të votonte për bashkim me Shqipërinë vetëm nëse do të kishte një referendum paqësor dhe demokratik.

Gazetari Andrew Mueller ia ka rikujtuar Kurtit një takim që kanë pasur në vitin 2005 në Tiranë, ku e kishte pyetur se a do t’i futej politikës me organizatën që drejtonte atë botë, KAN (Kosovo Action Network-Rrjeti i Kosovës për Veprim), e që Kurti i ishte përgjigjur “jo sepse kemi ambicie më të mëdha se aq” .

I pyetur se a ka ndryshuar Kurti nga atëherë apo ka arritur ta ndryshojë sistemin, shefi i qeverisë u përgjigj se të dyja.

“Mendoj se sistemi ndryshoi pas shpalljes së pavarësisë, mund të them se edhe unë kam ndryshuar poashtu ndoshta jo në kuptimin e qëllimit por në kuptim të strategjisë dhe eksperiencës, unë isha më shumë i involvuar në formën social-demokrate të mendimit që besoj se ndihmoi në pjesëmarrjen në zgjedhje, që transformoi aktivitetin civil në organizatë politike dhe pastaj në parti politike”, u përgjigj Kurti.