I ashtuquajturi “Organi i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës”, strukturë paralele në pjesën veriore të Mitrovicë, do t’ia ndajë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq “Çelësin e Qytetit” dhe “Kartën e Artë”.
Ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve pritet të bëhet më 23 nëntor, ditë kjo që serbët e konsiderojnë si “Dita e çlirimit të qytetit”, që shënon çlirimin e Beogradit në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, raportojnë mediet serbe.
Një gjë e tillë do të bëhet siç thuhet “në shenjë falënderimi për gjithçka që Vuçiqi bën për të mirën e popullit serb dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, mbështetjen në stabilitetin ekonomik, strehimin dhe zbatimin e projekteve të shumta infrastrukturore”.
Kjo ceremoni, siç raportojnë mediet serbe, do të mbahet në objektin që serbët e quajnë “Pallati i Mitrovicës” në pjesën veriore të Mitrovicës, përgjatë orës 11:30.