Sporti

“Rrëfehet” trajneri Gliha: Kosova mund të arrijë në Kampionatin Evropian, na duhet besim, sakrificë dhe dëshirë

11/19/2021 18:02
nga:Lorik J

Kombëtarja e Kosovës nuk ka mbyllur në mënyrën më të mirë ciklin e kualifikueseve për “Kupën e Botës 2022 në Katar”, duke u renditur në vendin e fundit në grup, me vetëm pesë pikë nga tetë takime të luajtura.

Megjithatë që nga fillimi i ciklit e deri në fund kishte ndryshime të shumta, duke filluar nga lojtarët e deri tek trajneri, Bernard Challandes, i cili u shkarkua, me shkakun e rezultateve të dobëta, shkruan GazetaBlic Sport.

Vendin e Bernard Challandes përkohësisht e ka zënë trajneri slloven, Primoz Gliha, i cili e drejtoi kombëtaren tonë në dy duelet e fundit. Gliha ishte në stol në humbjen në ballafaqimin miqësor me Jordaninë me rezultatin 0-2 në Prishtinë, si dhe ndaj Greqisë në barazimin 1-1 në Athinë, në duelin e fundit të ciklit të kualifikueseve për Katar 2022.

Trajneri, Primoz Gliha thotë se Kosova kishte përballë dy kombëtare mjaft të forta, teksa shton se ka parë guxim tek lojtarët, pavarësisht se kanë lëshuar disa raste shënimi. Ai potencon se synon që lojtarëve t’u japë besim, pasi cilësitë nuk mungojnë dhe kjo sipas tij u dëshmua në këto dy sfidat që ai e drejtoi kombëtaren e Kosovës.

“Po, ne sigurisht që kishim dy ndeshje me dy kombëtare që janë më mirë të rankuara se ne në FIFA, Greqia është në vendin e 50’të, kurse Jordania në vendin e 90’të, ne jemi në mes të vendit të 110’të-120’të, andaj dy kombëtaret janë shumë të mira për t’u krahasuar dhe për tu ndeshur me ta. Në ndeshjen e parë, kam pasur vetëm 48 orë për ta përgatitur skuadrën për Jordaninë, por kjo nuk është arsye, pasi futbolli është kështu. Ne duhet të ndërrojmë mentalitetin, pasi kemi pasur vetëm katër pikë nga shtatë ndeshje, normalisht mund të merrnim 21 pikë, por kemi marrë vetëm 4, pra kemi pak problem të besojmë në sukses dhe të fitojmë. Ndeshja e parë ishte shumë e rëndë për mua, pasi kemi pasur shumë raste për gol, por nuk kishim shumë sukses në këtë pikë, megjithatë unë ju thashë lojtarëve pas ndeshjes se ju tregova si luajtëm, që krijuam shumë, sepse unë dua të luajë futboll sulmues duke shënuar gola dhe natyrisht se ju mund të mendoni pak më shumë për mbrojtjen kur humbni topin. Ne ishim të dëshpëruar pas asaj ndeshjes, por i thashë lojtarëve që duhet të shkojmë në Greqi me këtë dëshirë, kur shkuam atje, thashë në konferencë që duhet të tentojmë të fitojmë ndeshjen dhe të japim më të mirën dhe ne kishim sukses, por prap jam pak i mërzitur, sepse kishim raste, ishte ndeshje e hapur, Zhegrova e Vojvoda kishin raste të mira në fund, por nëse tani më pyet dikush nëse jam i kënaqur me këtë, mund të them se jo, pasi unë dua të fitojë të gjitha ndeshjet. Në futboll duhet të jesh optimist dhe arrogant në suaza sportive dhe duhet të besosh që mund të fitosh të gjitha takimet. Me këtë dëshirë unë doja të shkoja në Greqi, nuk ka lidhje pse humbet nga Jordania, por më e rëndësishmja është shpirti dhe besimi”, tha fillimisht Primoz Gliha për GazetaBlic Sport.

Kosova tani pret shortin e Ligës së Kombeve, kompeticion ky përmes të cilit “Dardanët” mund të shpresojnë për një biletë evropiani, duke marrë parasysh faktin që në të kaluarën nuk ishim edhe shumë largë. Gliha potencon se shanset për të arritur një gjë të tillë ekzistojnë, megjithatë duhet sakrificë, besim dhe shpirt që të bëjmë diçka të madhe.

“Padyshim se ekzistojnë shanset, pasi kur ke dëshirë dhe koncentrim, kur dëshiron të sakrifikosh në fushë për kombëtaren, për lojtarët, për tifozët, atëherë keni pozitë të mirë, pasi lojtarët tanë kanë pasur një ndeshje shumë të mirë taktike, sidomos në pjesën e parë, ishte paraqitje e nivelit të lartë në aspektin taktik, në pjesën e dytë luajtëm shumë më mirë se Greqia, mos të harrojmë që Greqia është kombëtare shumë e fortë, treguam përformancë të nivelit të lartë. Nëse ne kemi besim, jemi të koncentruar dhe nëse me të vërtetë dëshirojmë të fitojmë të gjitha ndeshjet, natyrisht se kemi shanse”, përfundoi Gliha.

Në fund, trajneri slloven, Primoz Gliha tregoi se Kosova duhet të përmirësohet pak në disiplinë dhe se i nevojiten shumë tifozët, pasi me ta kanë më shumë motivim.

“Na duhet taktikë, na duhet disiplinë, na duhet stadiumi në kapacitete të plota, pasi tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne, pasi na dhurojnë shumë energji pozitive dhe motivim, lojtarët janë siç thashë shumë të fortë teknikisht, sa kam parë në javën e fundit, ata besojnë dhe duan të fitojnë të gjitha takimet. Unë jam gjenerali i kësaj ushtrie dhe nëse jam optimist dhe ata duhet të jenë, kjo është gjëja më e rëndësishme për të gjithë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/