Sporti

FFK paralajmëron aplikimin e sistemit VAR edhe në Ligën e Parë

11/18/2021 23:20
nga:Lorik J

Federata e Futbollit e Kosovës është duke planifikuar që të fillojë me aplikimin e sistemit VAR edhe në Ligën e Parë.

Shtëpia e futbollit kosovar është duke parë mundësitë që VAR-i në kategorinë e dytë të futbollit të aplikohet nga sezoni i ardhshëm.

“Komiteti Ekzekutiv diskutoi që të krijohen mundësinë që sistemin VAR ta fillojë ta aplikojë edhe në Ligën e Parë nga kampionati i ardhshëm, e pse jo në ndonjë ndeshje me rëndësi edhe në këtë kampionat. Por kjo kërkon një analizë të gjithanshme”, thuhet në një njoftim të FFK-së.

FFK njoftoi gjithashtu se KE ka analizuar rrjedhën e deritashme të garave duke konstatuar se garat po rrjedhin mjaft mirë, ndërkaq që aplikimi i sistemit të VAR-it u vlerësua si shumë i dobishëm që reflektoi siguri, duke mënjanuar gabimet eventuale, për të hequr dilemat te futbollistët, gjyqtarët, trajnerët dhe të adhuruesit. Sipas KE-së, kjo ka dhënë kontribut të madh në mbarëvajtje jashtëzakonisht të mirë të garave.