Lajme

​Përfundon për sot seanca ndaj Salih Mustafës në Hagë

11/17/2021 19:15
nga:M K

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për sot seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Është dëgjuar dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmia e së cilës në pjesën më të madhe të seancës ka vijuar e mbyllur për publikun. Kryetarja e trupit gjykues ka thënë se seanca do të vazhdojë nesër me të njëjtën dëshmitare të mbrojtur.

Dëshmitarja, e cila mban kodin W04676, në seancë publike ka thënë se ka qenë pjesë në një zhvarrim në fshatin Zllash.

Në seancën e sotme ajo ka thënë se kanë shkuar në një mal në thellësi të fshatit, së bashku me babanë e viktimës, për ta zhvarrosur atë.

Identiteti i saj nuk është i ditur për publikun sikurse roli i saj në ngjarjen e zhvarrimit në të cilën pretendon se ka qenë prezent.

Pyetjet e mbrojtjes së Mustafës kanë vijuar tërësisht të mbyllura, sikurse ato shtesë nga prokuroria, raporton kp.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar gjashtë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendime për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.