Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar dje Ministrin e ri të Shëndetësisë, Rifat Latifin. Kurse, pas kësaj ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se do ta mbështes ministrin në punën e tij të re, si dhe njëkohësisht ka kujtuar kohën kur i njëjti ka punuar si këshilltar i Hashim Thaçit.
“Dr.Rifat Latifi ka treguar edhe gjatë mandatit si këshilltar i ish- kryeministrit Hashim Thaçi, se ka vullnet për të punuar me përkushtim për shtetin e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Tutje deputeti ka shtuar se nuk duhet që emrat e mëdhenj të shëndetësisë, sikur ai i Rifat Latifit, të përdoren për qëllime të politikës ditore.
Postimi i plotë:
Dr.Rifat Latifi një intelektual nga Drenica në krye të shëndetësisë së Kosovës.
Emërimi i Dr. Rifat Latifit, mjekut me famë ndërkombëtare, bashkëvendasit tim, ministër i shëndetësisë, është veprimi i vetëm, i mirë, i kësaj qeverie që duhet përshendetur.
Rifat Latifi mjeku i dëshmuar në Amerikë e gjetiu, ka një përvojë të madhe në shëndetësi, prandaj uroj që emërimi i tij të jetë për të përmirësuar e avancuar sistemin tonë shëndetësor dhe gjendjen e profesionistëve shëndetësorë dhe kryeministri Kurti nuk ka qëllim që ta përdorë emrin e tij për ta mbuluar bërrllogun dhe rrëmujën që e ka shkaktuar Arben Vitia dhe ekipi i tij.
Nuk është e drejtë dhe morale dhe nuk duhet lejuar që emrat e mëdhenjë të shëndetësisë të përdoren për qëllime të politikës ditore, por atyre t’u ipe hapësira dhe mbështjetja e duhur për përmirësim të shëndetësisë.
Duke e njohur mirë sistemin shëndetësor dhe plagët e tij, çdo veprim të mirë të ministrit do ta mbështesë, por edhe do ta kritikoj nëse eventualisht gabon duke dëgjuar ata që nuk e kuptojnë sistemin shëndetësor ose që tentojnë të përfitojnë nga ai.
Dr.Rifat Latifi ka treguar edhe gjatë mandatit si këshilltar i ish- kryeministrit Hashim Thaçi, se ka vullnet për të punuar me përkushtim për shtetin e Kosovës.
Uroj që prioriteti i tij si ministër i shëndetësisë të jetë shëndeti i qytetarëve dhe mirëqenia e puntorëve shëndetësorë!