Prokurorja Speciale Florije Shamolli ka thënë se ka prova të mjaftueshme ndaj të akuzuarve Luan Berisha, Driton Muharremi, Ilir Pushka dhe Mehmet Sunguri, të cilët po dyshohen për keqpërdorime me fondet e “Llamkos”. Ndërsa, mbrotjtja aludoi në mungesë të provave dhe parashkrim të disa pikave të aktakuzës.
Berisha, Muharremi, Pushka e Sunguri, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”. Ndërkaq, Luan Berisha, po akuzohet edhe për veprën penale “Pastrim i parave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deklaratën lidhur me provat, prokurorja Florije Shamolli e ka dhënë në seancën e së enjtes, në fjalën hyrëse, ku tha se nga administrimi i provave materiale dhe dëgjimi i dëshmitarëve, do të vërtetohet se katër të akuzuarit janë fajtorë.
Përfaqësuesja e AKP-së, Ilirjana Sadikaj në fjalën hyrëse ka mbështetur aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Berisha, avokati Ramë Gashi, e ka kundërshtuar cilësimin e AKP-së si palë e dëmtuar, pasi sipas tij, gjykatës i kishin dorëzuar prova të cilat e vërtetojnë të kundërtën e asaj që pretendon Prokuroria Speciale.
Sipas tij, palujtshmëria në “Nerodime e Eperme”, nuk është përfitim i kundërligjshëm, pasi sipas avokatit Gashi, kontrata është vërtetuar në gjykatë dhe asnjëherë nuk është kontestuar e as nuk është anuluar në procedura të ligjshme.
Lidhur me pikën 3 të aktakuzës, ku Luan Berisha, Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka po akuzohen për keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi, avokati Gashi ka thënë se për këtë vepër penale ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, për shkak se koha e kryerjes së veprës është 25 shkurt 2007, ku sipas tij, për këtë vepër para 23 marsit 2017, ka arritur parashkrimi.
Përveç kësaj, sipas avokatit Gashi, do të vërtetohet se Luan Berisha për rastet “Shen” dhe “Alcon”, është hetuar nga prokurorët e EULEX-it dhe gjykuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, ndërsa për piken 3 të aktakuzës, avokati Gashi ka thënë se do të vërtetohet se midis “Llamkos” dhe “Shen”, pranë Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë ka pasur procedurë gjyqësore- propozim për ekzekutim për përmbarim të borxhit dhe se kjo procedurë sipas tij ishte iniciuar nga “Llamkos”.
Avokati Gashi ka thënë se do të vërtetohet se të hollat përmes llogarisë bankare të Driton Muharremit ishin transferuar në llogarinë bankare të Luan Berishes si hua, pasi sipas tij, akuza nuk ka asnjë provë se transaksioni bankar është i kundërligjshëm, e që kjo sipas tij do të vërtetohet nga raporti bankar nga “Pro Credit Bank”.
Edhe për pikën 5 të aktakuzës, avokati ka thënë se është arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale, si dhe sipas tij për këtë pikë të aktakuzës Luan Berisha ishte gjykuar më herët.
“Mbrojtja do të bindet së në mungesë të provave Luan Berisha do të lirohet nga akuza”, ka thënë avokati Gashi.
Këto pretendime të avokatit Gashi, i ka mbështetur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Muharremi, avokati Florent Latifaj i cili për pikën 3 të aktakuzës ka thënë se formulimi i këtij dispozitivi nuk ishte i saktë, pasi sipas tij me “borxh”, nuk mund të kryhet vepra penale. Ai për këtë pikë të aktakuzës ka kërkuar që të hudhet aktakuza.
Mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Pushka, avokati Agron Selimi ka thënë se do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk kishte ndërmarrë aktivitete direkte apo indirekte për t’i konsideruar veprime inkriminuese penale.
Sipas tij do të dëshmohet se Pushka nuk ka qenë pronar i kompanisë “Shen”, dhe se nuk ekziston asnjë dëshmi se i njëjti ka përpiluar dokumente me përmbajtje të rreme, të ketë kryer transaksione, të ketë lëshuar faturë apo të ketë paguar faturë në emër të “Shen”.
Ai ka thënë se me asnjë dëshmitar të propozuar nga prokuroria, asnjëri prej tyre nuk kishte deklaruar se e njeh, ta ketë takuar apo të ketë komunikuar me të dhe se nga të gjitha përgjimet e siguruara nga prokuroria në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk përmendet emri i Ilir Pushkës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mehmet Sungurit, avokati Xhafer Maliqi ka thënë se për pikën 5 të aktakuzës me të cilën po ngarkohet i akuzuari Sunguri është çështje e gjykuar me aktgjykim të plotfuqishëm.
Ndryshe, në fillim të kësaj seance, katër të akuzuarit edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm.
Në këtë seancë ka nisur dhënia e dëshmisë së dëshmitarit Agron Emerllahu, i cili ka deklaruar se gjatë vitit 2007 kishte transportuar mall me kamion për kompaninë “Llamkos”.
Por, dëshmia e tij do të vazhdojë më 12 nëntor 2021.
Ndryshe, në këtë rast, i akuzuar kanë qenë edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, si dhe A.K, mirëpo për ta është pushuar procedura.
I akuzuari A.K ka ndërruar jetë, ndërkaq me anë të vendimit të gjykatës, që është vërtetuar nga Apeli, për pikat një dhe gjashtë të aktakuzës është hudhur poshtë aktakuza dhe pushuar procedura penale për shkak se prokurori special ka hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Të përfshirë në pikën e gjashtë të aktakuzës kanë qenë edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, për të cilët është pushuar procedura, ndërkaq vazhdon gjykimi për të akuzuarit tjerë për pikat tjera të aktakuzës, të cilat janë konfirmuar nga gjykata.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 9 tetor 2019, ka paraqitur aktakuzën e ndryshuar në këtë rast.
Sipas kësaj aktakuze, të akuzuarit Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka po dyshohen se duke vepruar në bashkëveprim me njëri tjetrin, si bashkëpronarë të biznesit Sh.P.K “Alcon”, nga Ferizaji, gjatë vitit 2005 kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive “Gini-Trade”, në vlerë 243 mijë e 409 euro e 82 centë.
Sipas prokurorisë, sipas urdhrit të të akuzuarit Luan Berisha, si drejtor i “Llamkos”, gjatë vitit 2005 kompanisë “Gani Trade”, në periudha të ndryshme i ishin paguar 172 mjë e 312 euro e 89 centë, si dhe në vitin 2006, të gjitha pagesat në shumë prej 125 mijë e 430 euro ishin paguar në para të gatshme nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, personit Venhar Jonuzi, duke paguar shumën prej 297 mijë e 742 euro.
Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit kishin paguar 5 mijë e 333 euro e 18 centë më shumë sesa që kishin pranuar mall, ndërsa të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka, pas pranimit të pagesave me para të gatshme nga “Llamkosi”, me qëllim që t’i paraqesin si të hyra legale nga biznesi “Alcon”, në xhirollogarinë e kësaj të fundit kishin deponuar 286 mijë e 919 euro, duke e dëmtuar ndërmarrjen “Llamkos”, në shumë prej 55 mijë e 333 euro e 18 centë.
Për këto veprime, po dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”.
Ndërsa i akuzuari Luan Berisha, po dyshohet se edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal kishte përfituar nga të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka parcelën në sipërfaqe 10,000 m2, në Nerodime të Epërmen, Komuna Ferizaj, dhe me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burgimit të prejardhjes së pasurisë, kishte lidhur kontratë kinse për blerjen e patundshmërisë në shumë prej 6 mijë euro të cilën shumë, i njëjti asnjëherë nuk e kishte paguar.
Për këto veprime, Berisha po ngarkohet me veprën penale “Pastrimi i parave”.
Tutje, Luan Berisha, Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka akuzohen se me datë 25 shkurt 2007, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar në ndërmarrjen fiktive “Shen”, si blerës, në vlerë të përgjithshme prej 487 mijë e 176 euro e 9 centë, ku pastaj një pjesë e mallit në shumë prej 224 mijë e 820 euro e 72 centë, me urdhrin e të pandehurit Berisha, është transportuar në depon e fabrikës së vajit “Alcon” në Ferizaj, me bashkëpronarë të pandehurit Muharremi, A.K dhe Pushka, të cilin mall ata asnjëherë nuk e kanë paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”, me të cilat veprime të pandehurit Berisha, Muharremi, A.K dhe Pushka e kanë dëmtuar këtë ndërmarrje, në vlerë prej 224 mijë e 820 euro e 71 centë.
Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Luan Berisha akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit, vendimit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka, më detajisht e përshkruar në pikën III të aktakuzës, i pandehuri Driton me datën 11 korrik 2008 ka deponuar të pandehurit Luan Berisha shumën prej 100 mijë euro.
Tutje thuhet se me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, i pandehuri Luan Berisha ka themeluar kompaninë “Elm Gorup”, ku në xhirollogarinë e këtij biznesi, Luan Berisha me datën 27 tetor 2009 ka deponuar shumën prej 1 mijë e 900 euro, me datën 20 dhjetor 2009, shumën prej 35 mijë euro si dhe me datën 21 gusht shumën prej 7 mijë e 500 euro.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrim i parave”.
Tutje, në dispozitivin e pestë thuhet se me urdhrin e të pandehurit Luan Berisha, drejtor i ndërmarrjes së re “Llamkos”, gjatë muajit shkurt 2007, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit – llamarinë e zinkuar për ndërmarrjen fiktive NTP “Shen” si blerës, në shumë prej 143 mijë e 598 euro, i cili mall pastaj me urdhrin e të pandehurit Berisha është transportuar nga “Llamkos” tek ndërmarrja “Sunguri” me pronar të pandehurit Mehmet Sunguri, të cilin mall i njëjti asnjëherë nuk e ka paguar, me të cilat veprime të pandehurit Luan Berisha dhe Mehmet Sunguri e kanë dëmtuar ndërmarrjen e re “Llamkos” në shumë prej 143 mijë e 598 euro.
Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Kurse, dispozitivi i fundit thotë se me urdhrin e Luan Berishës gjatë muajit shkurt 2007, në ndërmarrjen “Llamkos” është faturuar shitja e mallit – llamarinë e zinkuar për ndërmarrjen fiktive NTP “Shen” si blerës, në shumë prej 57 mijë e 147 euro e 60 centë, i cili mall pastaj me urdhrin e tij të pandehurit Luan Berisha është transportuar nga “Llamkos” te ndërmarrja tjetër, me pronarë të pandehurit Remzi Podvorica dhe Ramush Muli, të cilin mall asnjëherë nuk e kanë paguar.
Me këto veprime thuhet se Berisha, Podvorica dhe Muli e kanë dëmtuar ndërmarrjen “Llamkos” në vlerë prej 57 mijë e 147 euro e 60 centë.
Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”. /BetimipërDrejtësi


