Televizioni publik britanik, BBC, përsëri ka publikuar një hartë në të cilën nuk ekziston kufiri mes Kosovës e Serbisë.
Një lëshim të tillë transmetuesi i njohur botërisht e kishte bërë edhe në qershor.
Në një lajm rreth krizës me emigrantë në Bjellorusi, ku gjithashtu janë paraqitur gazsjellësit në hartën e Evropës, Kosova paraqitet si pjesë e territorit të Serbisë.
Kujtojmë se Britania e Madhe është njëra ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndër përkrahëset më të mëdha të saj që nga përfundimi i luftës.
Sipas uebfaqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Mbretëria e Bashkuar e ka njohur pavarësinë e Kosovës vetëm një ditë pas shpalljes së saj, pra, më 18 shkurt 2008. Në të njëjtën ditë pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe Shtetet e Bashkuara, Franca, Shqipëria, Turqia dhe Afganistani.
Express në qershor të këtij viti ka raportuar se si i njëjti televizion britanik e kishte paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë në një hartë ku shfaqej rrjedha e Lumit Danub nëpër territorin e Evropës.