Sporti

Xherdan Shaqiri flet para ndeshjes me Italinë: Duam fitoren, është ndeshja e vitit për ne

11/11/2021 17:31
nga:Mergim Rreci

Xherdan Shaqiri ka folur para ndeshjes me Italinë në kualifikueset e Kupës së Botës.

Këto skuadra u takuan tashmë në të njëjtin vend gjatë UEFA EURO 2020, Italia rezultoi fituese 3-0.

“Jam këtu me një ndjesi të ndryshme, më pozitive se kur luajtëm në Olimpico në Euro”, tha Shaqiri në konferencën e tij për shtyp, transmeton GazetaBlic Sport.

“Është një sezon i ri, një trajner i ri, ne e shikojmë të ardhmen me optimizëm dhe duam të tregojmë një reagim në krahasim me ndeshjen e qershorit, duke rikuperuar një pjesë të krenarisë që humbëm në atë lojë”.

Skuadrat aktualisht janë në krye të Grupit C kualifikues të Kupës së Botës me 14 pikë, të ndara vetëm nga diferenca e golave.

“Kjo është ndeshja e vitit për ne dhe do të ishte fantastike të fitonim. Italia është padyshim favorit, ata kanë cilësi të jashtëzakonshme dhe ne presim që të jetë një ndeshje e shkëlqyer”.

Italia nuk është e vetmja me probleme të shumta lëndimesh, pasi Zvicrës i mungojnë Granit Xhaka, Haris Seferovic, Nico Elvedi, Breel Embolo, Gregor Kobel, Zesiger, Christian Fassnacht dhe Steven Zuber.

“Ky është futboll dhe lëndimet janë pjesë e futbollit”, ka vazhduar Shaqiri.

“Është një mundësi për lojtarët e tjerë që të rriten dhe të dëshmojnë se çfarë mund të bëjnë.

“Italia ka një problem të ngjashëm, ne thjesht duhet të bëjmë më të mirën në këto rrethana. Objektivi është të mundim Italinë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/