Kandidati për kryetar të Malishevës, Isni Kilaj nga Partia Demokratike e Kosovës, ka ftuar kundërkandidatin e tij nga Nisma, Ekrem Kastratin për debat final para qytetarëve të Malishevës.
Gjithashtu, ai ka ftuar edhe të gjithë palët e tjera me rëndësi, shoqërinë civile dhe akterë të ndryshëm që të bëhen pjesë e këtij debati.
Ky është postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:
“Të dashur Malishevas,
Të nderuara media e shoqëri civile,
Që nga muaji shtator kur kemi filluar me debate të ndryshme televizive për zgjedhjet lokale, jam munduar që të jem zëri i bashkëvendësve të mi të Malishevës.
Në gjitha debatet televizive ku jam përballur më gjithë kandidatët, jam munduar t’i ofroj argumentet për secilin fakt nga keqqeverisja 8 vjeçare.
Jam munduar të mos mirrem me të kaluarën dhe të ofroj program e projekte konkrete për zgjidhjen e probleme bazike për të gjithë pa dallim partie apo rajoni, duke ofruar një qeverisje transparente, të hapur e afër qytetarëve.
Mirëpo vullneti im është që këto projekte dhe këtë program ta sfidoj me projekte të kundërkandidatit tim për t’i dhënë qytetarit mundësinë e zgjedhjes. Por ky vullnet i imi dhe kërkesa e qytetarëve për debat nuk po reflektohet nga kundërkandidati i NISMËS.
Ikja nga debatet televizive nuk është zgjidhje, është dezertim, është ikje nga përgjegjësia që kemi si kandidatë. Prandaj ftoj edhe një herë kundër kandidatin tim nga NISMA në debat, para qytetarëve në sheshin e qytetit para të gjithëve, mediave e shoqërise civile, të flasim për programet e për projektet. Të flasim për korrupsionin, për drejtësinë e barazinë, që ky qytet e meriton, e që fatkeqësisht për këto 8 vite ka bërë krejt të kundërtën e saj duke instaluar nepotizmin, korrupsionin dhe pabarazinë.
Ekrem dil, e ballafaqohu! Nuk na ka hije as si ish-luftëtarë të ikim nga debati, nuk na ka mësuar kështu lufta.
Sepse 14 Nëntori është afër, e atë ditë qytetarët do të flasin masivisht”.