Lajme

Përparim Rama fton Vitinë të bëhet pjesë e kabinetit të tij nëse bëhet kryetar i Prishtinës

11/10/2021 22:55
nga:Y I

Kandidati i LDK-së për Prishtinën Përparim Rama ka thënë se në ekipin e tij, nëse do ta fitojë garën e balotazhit, do të ketë edhe drejtorë që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë e kam listën e emrave dhe para dy muajsh kam dashur ta bëj publike sepse besoj që duhet të jemi transparentë në këtë pjesë, por e kam kuptuar që nuk duan të paraqiten para fitores për shkaqe të ndryshme, sepse kemi pjesëtarë të partive të ndryshme aty – edhe të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe nuk duan të bëhen publike para fitores. Jam i hapur”.

Vitia ka qeshur me deklaratën e Ramës në Rubikon ku kandidatët për Prishtinën po përballen ekskluzivisht, derisa e ka sfiduar të përmendë edhe emra.

“Mund të jesh i hapur, por ju sfidoj që ta përmendni dhe jam i sigurt duke njohur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jam i sigurt se një pjesë e mirë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë drejtorë, ama në drejtoritë që do të udhëheq unë”.

Rama i ka thënë se për këtë do të bindet të hënën dhe “do të festojnë së bashku”, derisa Vitia i përgjigjet se kjo, përpos humorit, është edhe ironi.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeqytetin ka thënë se deklarata e Ramës nuk duhet të merret seriozisht.

“Të thuash që ka drejtorë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje në ekipin tuaj duhet të jemi më serioz z.Rama. Besoj në vullnetin e tij të mirë që kishte qenë mirë të jetë edhe dikush nga Lëvizja Vetëvendosje, por të thuhet se kam biseduar edhe me dikë nga lëvizja Vetëvendosje që do të jetë drejtor mendoj se përveç se nuk merret seriozisht është edhe për të ardhur keq që para qytetarëve jepni një konstatim të tillë që është e pavërtetë”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën i ka thënë kundërkandidatit të tij se duhet të jetë më mendjehapur dhe se do ta mirëpriste në kabinetin e tij, nëse do të jetë kryetar i kryeqytetit.

“Duhet të jeni mendjehapur për të mirën e Prishtinës. Nuk kam problem që edhe ju të jeni pjesë e kabinetit tim, por nëse ka më të mirë më të mirët do ta marrin vendin. Kjo është ideja që ne t’i marrim më të mirët që ta çojmë qytetin përpara dhe ta heqim nga ky kaos”.