Mbrojtësi i të akuzuarit Imer Gashi, avokati Leart Kryeziu kërkoi nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe të mbrojturit të tij t’i jepet dënim më i butë, kurse prokuroria kërkoi që ndaj tij të shqiptohet dënim më i lartë.
Kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Leart Kryeziu kishte bërë Gjykata e Apelitnkesë vetëm lidhur me sanksionin penal.
Në seancën e sotme, ai kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i ulët, ndërsa gjykata të marrë parasysh si rrethana lehtësuese faktin që i akuzuari e ka pranuar fajësinë, ka bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë, është penduar thellë si dhe kushtet e këqija ekonomike dhe rrethanat familjare që i ka shkaktuar atij burgimi prej 4 muajsh.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përmes ankesës, ka kërkuar që ndaj të akuzuarit Gashi të shqiptohet një dënim më i ashpër, pasi që gjykata nuk ka pas parasysh rrethanat rënduese në këtë rast siç janë shqetësimi i ambasadorit dhe shkalla e përgjegjësisë penale.
“Dënimi me ligj për këtë vepër penale është prej 1 deri në 5 vite, dhe gjykata nuk ka dhënë arsye se pse i ka dhënë të akuzuarit Gashi dënim nën minimumin e paraparë me ligj”, thuhet në ankesën e prokurorisë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 shtator 2021, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Imer Gashit për shkak të kanosjes me vrasje ish-ambasadorit amerikan. (https://betimiperdrejtesi.com/10-muaj-burgim-pasi-pranoi-dhe-pendohet-se-kanosi-me-vrasje-ambasadorin-e-shba-se-ne-kosove)
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, Imer Gashi ngarkohet me veprën penale “Rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”.
Në aktakuzë thuhet se Gashi më 16 qershor të vitit 2021, me paramendim dhe dashje, përmes telefonit dhe emalit të tij, në adresën zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.
I akuzuari sipas aktakuzës kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade, se po që se nuk ndërmarrin veprime për çështjen e sigurisë në Kosovë, për parandalimin e grupeve kriminale, do ta vriste ambasadorin, i cili sipas tij, mbulon kriminelët në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Gashi kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor.
/Betimi për Drejtësi/


