Lajme

Urdhërohet të sillet me detyrim në seancë kryetari i Kllokotit, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit që e kanosi atë

11/09/2021 12:21
nga:M K

Për shkak se kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq mungoi pa arsye, është shtyrë seanca e së martës në rastin ku Blagoje Maksimoviq po akuzohet se e ka kanosur të njëjtin me llogari të rrejshme në Facebook me fjalët “Ky qelbaniku Sylejman Dejanoviq duhet të marrë plumb në ballë asgjë më tepër”.

Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

Gjykatësja Drane Simani njoftoi se i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Dejanoiq, është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën në seancë nuk e ka arsyetuar.

Sipas gjykatëses Simani, ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhëres për sjellje me detyrim për seancën e radhës. Në këto rrethana, seanca u shty dhe e radhës u caktua më 11 nëntor 2021.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 21 tetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Blagoje Maksimoviq, të cilin e akuzon më 18 gusht 2018, rreth orës 11:37 në Kllokot me dashje e ka kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin Bozhidar Dejanoviq nga Gërqari se do ta privoj nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se nga profili i rrejshëm në Facebook me emrin “Milan Milanovic”, i ka shkruar të dëmtuarti mesazh me fjalë kanosëse “Ky qelbaniku Sylejman Dejanoviq duhet të marrë plumb në ballë asgjë më tepër”, pra në këtë mënyrë ka shkaktuar frikë dhe ankth te i dëmtuari Bozhidar Dejanoviq.

Me këtë, Maksimoviq ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosje”, nga neni 185, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.