Lajme

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Gucatit dhe Haradinajt

11/08/2021 08:35
nga:Q R

Në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Kjo seancë do të fillojë në orën 09:30 dhe do të vazhdojë deri në orën 16:00.

Në seancën e 5 nëntorit u dëgjua dëshmia e dëshmitarit të katërt, i cili është oficer i sigurisë operative në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Daniel Moberg.

Ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe ndër të tjera tha se në zyrat e OVL-së së UÇK-së ka shkuar tri herë për të sekuestruar dokumentet të cilat dikush i kishte dërguar në këtë organizatë.

Suedezi ka thënë se më 8 shtator të vitit 2020 ka shkuar për herë të parë në OVL të UÇK-së me një urdhër gjykate për të kryer sekuestrimin.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Kryesia e Kuvendit sot mban mbledhje