Misioni i BE’së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë, të cilët lëshuan një raport preliminar gati dy javë më parë, nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e presidentes Vjosa Osmani.
E njëjta, nëpërmjet një konference për medie tha se: “është kompetencë e gjykatave komptente dhe jo misioneve që të jepin deklarata të tilla”, duke iu referuar të gjeturave të këtij misioni. Sipas konstatimit të raportit preliminar të misionit të BE’së, presidentja ka bërë shkelje ligjore me shkarkimin e ish-kryetares së KQZ’së, Valdete Daka.
Ky mision, nëpërmjet një përgjigjeje nëpërmjet e-mailit për lajmi.net kanë thënë se u përmbahen deklaratave gjatë procesit të përpilimit të raportit, derisa tha se qëndrojnë pas konstatimeve të raportit preliminar.
“EOM zakonisht përmbahet në komentimin e çështjeve që janë në proces andaj, në përputhje me këtë qasje, nuk do të dëshironim të shtonim/komentonim jashtë asaj që u publikua në raportin preliminar më 19 tetor”, deklaroi nëpërmjet përgjigjes me e-mail një zëdhënës i Misionit të BE’së për zgjedhjet.
“Sa i përket vlerësimit tonë për të gjithë procesin zgjedhor, në një pasqyrë më të detajuar, do të realizohet në raportin përfundimtar të publikuar pas përfundimit të procesit zgjedhor”, bëri me dije tutje zëdhënësi.
Vëzhguesit e BE’së, dy javë më parë, në një raport preliminar konstatuan se shkarkimi i ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ishte i pabazuar dhe nuk ishte në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Vendimi i Presidentes së Kosovës për të shkarkuar ish-kryesuesen e KQZ-së Valdete Daka, është marrë më 14 qershor katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve lokale nuk mund të mbështetej në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit as nga bazat e shënuara të Ligjit për Zgjedhje te Përgjithshme”, u argumentua në raportin e lëshuar nga Misioni Vëzhgues.
Karshi këtij raporti, presidentja Osmani ka reaguar me ton të ashpër nëpërmjet një konference të thirrur për media, përgjatë së cilës pati kritika edhe për punën e Dakës dhe lëvdata për të emëruarin e saj, Kreshnik Radoniqin.
“Më lejoni të jem e qartë që interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të presidentes është kompetencë e gjykatave komptente dhe jo misioneve që të jepin deklarata të tilla. Legjislacioni parasheh që presidentja është autoritet kompetent për të emëruar kryesuesen e KQZ-së si dhe për ndërprerjen e mandatit të saj. Pra presidentja është autoriteti emërues dhe shkarkues dhe që bën vlerësimin e integritetit. Ky vendim ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ushtrim i qartë i kompetencave”, deklaroi e para e vendit.
Ish-kryesuesja e KQZ’së, kësisoj, ka dërguar te Avokati i Popullit kërkesë për të shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja. Ajo ka kërkuar nga Avokati i Popullit që këtë rast ta procedojë në Gjykatën Kushtetuese.
”Meqë deputetët nuk kanë pasur gatishmëri dhe që ishim në fushatë zgjedhore nuk kam dashur askush të ndikohet nga kjo kërkesë e imja. Nuk jam ankuar në gjykatat tjera sepse konsideroj që nuk ka mundësi që të vlerësohet vendimi i presidentit në gjykata të rregullta” ka thënë ajo në një konferencë.
“Keni dëgjuar me siguri shumë deklarata të mia. Arsyetimi i cili është dhënë ka qenë pa bazë ligjore, jam akuzuar për votim të vendimit, për lejim të votimit me dokumente të skaduara në ditën e zgjedhjeve. Është evidente se unë kam qenë e vetmja kundër atij vendimi. Tash mbetet të presim se çka do të veprojë Avokati i Popullit. Meqenëse presim në një afat brenda gjashtë muajsh ta dërgojë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ndër të tjera Daka.
Lajmi.net nëpërmjet e-mailit ka dërguar pyetje në adresën e Zyrës për Media të Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me ecurinë e çështjes së kërkesës së Dakës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.