Vazhdon edhe më tutje “konfrontimi” mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim që përfundimisht të mos marrë pjesë në Grupin Punues për finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut, përcjell GazetaBlic.
Në këtë komunikatë, PK shpreh shqetësimin me qasjen joserioze dhe joprofesionale të MD-së, duke thënë se në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje.
Më poshtë edhe njoftimi i plotë.
Prishtinë, 5 nëntor 2021 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes kësaj deklarate shpreh qëndrimin institucional për të mos marrë pjesë në Grupin punues të caktuar nga Ministria e Drejtësisë për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vetingut në Sistemin e Drejtësisë.
Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e qasjes së Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka proceduar në Qeveri draftin final për procesin e vetingut pa u konsultuar fare me institucionet e pavarura të drejtësisë.
Për më tepër, ky koncept-dokument i dorëzuar në Qeveri nuk iu është dhënë anëtarëve të grupit punues nga sistemi prokurorial të cilët janë të painformuar me përmbajtjen finale të këtij dokumenti.
Prandaj, kjo qasje e njëanshme dhe përjashtuese nga ana e Ministrisë së Drejtësisë për ne është jo-serioze dhe jo-profesionale.
Në procese të tilla të rëndësishme është thelbësore të ketë gjithëpërfshirje aktive të të gjitha palëve, të ndërtohet besimi reciprok dhe të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime, e bazuar në objektivitet dhe bashkërendim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës si institucion kushtetues mbetet i përkushtuar për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet e vendit që nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të brendshme institucionale, të punojë në avancimin e sistemit prokurorial, gjithmonë duke e ruajtur pavarësinë dhe ndarjen e pushteteve.


