Lajme

“Open Ballkan”: Zv.kryeministri i Maqedonisë i bashkohet Ramës e Vuçiqit në Beograd

11/03/2021 17:55
nga:M K

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Veriore Nikolla Dimitrov, ka mbërritur sonte në Beograd, ku nesër do të marrë pjesë në bisedimet për nismën “Ballkani i hapur”.

Dimitrov është pritur në aeroportin “Nikola Tesla” nga ministrja për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.

Dimitrov tha se Maqedonia Veriore, përkundër ngjarjeve të fundit në vend pas zgjedhjeve lokale, është plotësisht e përkushtuar ndaj nismës “Ballkani i Hapur”.

“Po vij në kohën kur siç e dini kanë përfunduar zgjedhjet lokale në Maqedoninë Veriore, të cilat kanë lënë pasoja, madje në një farë mënyre krizë politike. Është e rëndësishme që ne si shtet dhe qeveri të dërgojmë një sinjal se jemi plotësisht të përkushtuar ndaj iniciativës, e cila ka lindur në Ballkan dhe që synon mbi të gjitha Ballkanin evropian”, tha Dimitrov.

Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është “një histori absolutisht evropiane” dhe tha se bashkëpunimi mund të thellohet më tej.

“Unë synoj të propozoj që digjitalizimi të përfshihet si një segment i rëndësishëm në iniciativë dhe se si digjitalizimi mund të ndihmojë në përshpejtimin e bashkëpunimit rajonal”, tha Dimitrov.

Në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nesër do të bisedojë me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Veriore Dimitrov dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Takimit të tre zyrtarëve do t’i paraprijë një takim me përfaqësues të kompanive nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, si dhe me përfaqësues të Këshillit Atlantik.

Pas bisedimeve do të vijojë një konferencë e përbashkët për shtyp e Vuçiqit, Dimitrovit dhe Ramës.