Lajme

Liberalizimi i vizave, ‘kartë’ zgjedhjesh apo mision për t’u zgjidhur?

11/02/2021 19:39
nga:M K

“Derisa të mos jenë të gjithë të lirë, askush nuk është i lirë”. Kjo frazë fenomenale e aktivistit amerikan e liderit të të drejtave të njeriut mes viteve 60′ e 70′ të shekullit të kaluar, Martin Luther King, duket të jetë totalisht ekuivalente me kohët e sotme tek ne, respektivisht çështjen e moslëvizjes së lirë për kosovarët, ani pse vendet e rajonit e shumica e atyre të kontinentit të vjetër, e gëzojnë këtë të drejtë.

Megjithatë, kjo padrejtësi e Bashkimit Evropian, pra mosliberalizimi, shpeshherë keqpërdoret për çështje elektorale. Pra, nga një mision për t’u zgjidhur për krerët politikë në vend, ai po shihet më shumë si ‘kartë’ zgjedhjesh. Në fakt, të shumtë janë drejtuesit e qeverive të pasluftës që e kanë premtuar këtë gjë, ani pse tash kur po shkojmë drejt vitit të 14 të Pavarësisë, drita (Zona Shengen) në fund të tunelit, s’po duket fare.

Se BE nuk e ka ndërmend ta shtjellojë këtë çështje në agjendën e saj “voluminoze”, e pranoi edhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Kjo e fundit, javë më parë, në “Rubikon” deklaroi se nuk do të habitej nëse deri në pranverën e vitit 2022 s’votohet për liberalizimin e vizave.

“Çështja e liberalizimit të vizave është shtruar dhe ka një unitet në mes shteteve anëtare të BE’së me shumë pak përjashtime që Kosova më në fund jo vetëm që i ka përmbushur por i ka stërmbushur ato kritere të cilat duhet përmbushur për të marrë liberalizimin e vizave. Fatkeqësisht një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Janë vendime individuale të një numri shumë të vogël të shteteve anëtare”, kishte thënë Gërvalla.

Gërvalla: S’do të habitesha nëse deri në pranverën e vitit 2022 s’votohet për liberalizimin e vizave për Kosovën

Pikërisht Gërvalla, një ditë më parë, në paraqitjen e saj para komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, tha se si MPJ angazhohen çdo ditë që ta bëjnë nga një hap të vogël drejt liberalizimit.

Gërvalla: Ju garantoj se si MPJD nuk kalon asnjë ditë pa u bërë një hap i vogël drejt liberalizimit të vizave

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu, tha se janë në komunikim të vazhdueshëm me vendet hezituese dhe se të njëjtat, gjithnjë sipas tij, janë në dijeni për zhvillimet pozitive në Kosovë.

“Ky është një vendim i cili i takon BE-së, përkatësisht vendeve që vazhdojnë të shprehin një dozë skepticizmi ndaj Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Kjo qasje, ky qëndrim dhe këto vendime përcaktohen nga dinamikat e brendshme politike të këtyre vendeve. Pavarësisht kësaj, vazhdimisht janë në komunikim me këto shtete dhe përfaqësuesit e këtyre shteteve. Ato kanë misione diplomatike në Kosovë ku janë në dijeni për çdo zhvillim pozitiv që shënohet në Kosovë. Ne shpresojmë se BE-ja do të tejkalojë këtë hezitim, përkatësisht këto shtete karshi Kosovës dhe të ndryshojnë qëndrimin e tyre, pasi në Kosovë kanë ndodhur ndryshime. Kemi një qeveri të re që gëzon legjitimet të madh popullor dhe politik që ka qëllime të qarta për luftimin e krimit, korrupsionit dhe reformën e sistemit të drejtësisë… Kjo qeveri brenda 7 muajve tashmë ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, një dokument tejet i rëndësishëm për reformën e sistemit të drejtësisë. Njëjtën kohë ka miratuar koncept-dokumentin për vetingun që është domosdoshmëri për të krijuar një shtet të mirëfilltë”, deklaroi ai për KosovaPress.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me njohësit e integrimeve evropiane. Sipas Dorajet Imerit, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, ka marrë karakter të pastër politik.

“Procesi i liberalizimit të vizave, konsideroj se ka marrë karakter të pastër politik, prandaj cdo pritshmëri e pretenduar lidhet me gatishmërinë e shteteve të BE-së ta kapërcejnë veten dhe të votojnë në institucionet e saj vendimmmarrëse pro votimit për Kosovën”, tha fillimisht Imeri.

Tutje, ai shtoi se liberalizimi në vitin e ardhshëm ka pak gjasa të ndodhë, pasi çdo gjë lidhet me marrëveshjen Kosovë – Serbi, që sipas tij duket larg.

“A ka gjasa të ndodh? Vlerësoj që gjasat janë minimale, ndërsa lidhen me zhvillimet e bisedimeve mes Kosovës e Serbisë. Duke qenë se nuk kemi hapa konkretë në këto bisedime, pritshmërite janë që të mos ketë as hapa në drejtimin e liberalizimit. Kjo tingëllon shumë negativisht, pasi konsideroj që asnjë hap Kosova nuk mund ta bëjë në konsolidimin e saj si shtet, pa një marrëveshjme me Serbinë. Shpresat minimale mund të jenë në një hap proaktiv të BE-së për të stimuluar Kosovën, por gjasat janë shumë minimale”, përfundoi ai për GazetaBlic.

Kurse, Dritëro Arifi beson se duke parë lëvizjet e fundit brenda BE-së, do të jetë thuajse e pamundur edhe të hyjë në agjendë çështja e vizave.

“Duke parë lëvizjet në Bashkimin Evropian, po ndonjë njëfarë euro-centrizmi, për të cilën nuk besoj që janë shumë të gatshëm të lëvizin, edhe me çështjen e refugjatëve, e mos të flasim më për çështjen e vizave, apo liberalizimin e vizave për ndonjë vend, respektivisht për Kosovën. Duke parë që viti i ardhshëm do të jetë vit zgjedhor në Francë, do të jetë problematike që të jetë edhe në agjendë dhe pastaj, duke parë që liberalizimi i vizave në njëfarë forme apo tjetrën është i ndërlidhur me marrëveshjen me Serbinë, pra po themi kushtimisht është një sekret publik e pastaj edhe gabimi amatoresk i kësaj qeverie, ashtu si të gjitha qeverivtë e kaluara, ku kanë dhënë data për liberalizim, e kjo mund të ketë ndodhur për shkak të fushatës, ku zgjedhjet janë shumë pranë”, tha Arifi.

Në fund ai tha se nuk është serioze që të jepen data kur dihet shumë mirë që procesi i liberalizimit nuk varet nga Kosova.

“Mendoj se nuk është serioze që të jepen data kur dihet shumë mirë që procesi i liberalizimit nuk varet nga shteti i Kosovës në kuptimin e procedurave, por mund të lobohet, ose të bashkëpunohet me shtetet e tjera që mund të lobojnë për ne, por Kosova nuk ka asnjë fuqi që mund të ndikojë në përshpejtimin e këtij procesi, pra do të ishte naivitet politik të mendohet ndryshe”, përfundoi ai.

/GazetaBlic/