Drejtori sportiv i Paris Saint-German, Leonardo, kritikoi shtypin francez për mënyrën se si po shfrytëzon jetën private të lojtarëve të klubit dhe sa e dëmton skuadrën.
Pas fitores së vështirë të së premtes ndaj Lille (2-1), me Di Marian që shënoi golin e fitores në minutën e 88-të, Leonardo doli në mbrojtje të Lionel Messit (i zëvendësuar nga Mauro Icardi në fund të pjesës së parë) dhe Neymar (i cili asistoi në golin e Di María-s), i akuzuar për paraqitje të dobët, ndërsa tregoi acarim nga përmasat që mori çështja e jetës private të Icardit, transmeton GazetaBlic Sport.
“Jemi më shumë të shqetësuar me Instagramin, me fotografitë ku kanë qenë… Nuk flitet më. Kjo është e turpshme. E kuptojmë se ende nuk jemi në nivelin që donim të ishim dhe ka ende rrugë për të bërë”, tha Leonardo pas ndeshjes në sallën e shtypit.
“Por nuk mund të flitet për Messin, Mbappe, Neymar apo trajnerin kështu! Ose për Ramos. Shtypi spanjoll thotë këtë dhe atë… Por këta janë ata dhe ju, hyni në këtë bisedë dhe bëni lojën e tyre. Por ne e dimë gjithçka që po ndodh. Messi kaloi më shumë kohë në kombëtare sesa këtu. Neymar gjithashtu, dhe luajti një lojë të shkëlqyer. Njerëzit mendojnë se ne nuk dimë asgjë për lojtarët, se ata janë gjithmonë në festa. Kjo nuk është e vërteta. Nëse lojtarët bëjnë gabime, ne flasim me ta”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


