Lajme

Njohësit e ekonomisë: Në vend të ndihmave sociale, qeveria duhet të shoh opsione për rritjen e ekonomisë

10/27/2021 15:31
nga:M K

Qeveria e Republikës së Kosovës sot mbajti mbledhjen e saj të radhës, atë të 43-tën, në të cilën u morën disa vendime.

Vendimi që padyshim gëzoi vëmendjen më të madhe është ai i pagesës shtesë në shumë prej 100 eurove për pensionistët, përcjell GazetaBlic.

Ndihma për skemat pensionale, njëra nga masat e pakos mbështetëse për krizën e krijuar nga inflacioni

Këtë e bëri të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për medie pak kohë pas mbledhjes së Qeverisë.

“Ajo që është e rëndësishme është fakti se do të ketë ndihma dhe rritje në skemat sociale. Për më shumë se 200 mijë pensionmarrës, kjo është sikur pensioni i 13. Ditë më parë, edhe Franca mori një vendim të përafërt, pra ndau nga 100 euro për familjet që kanë më pak se 2000 euro të ardhura mujore.

Pra, mund të duket se 100 euro janë pak, megjithatë, është ndihmë e madhe për pensionistët dhe vet familjet e tyre, që do ta kenë më të lehtë përballjen me krizën e krijuar nga inflacioni. Pra, ky vendim është pjesë e masave të pakos mbështetëse”, kishte deklaruar Murati.

Megjithatë, për dikë, kjo duket të jetë fushatë e pastër. Albert Krasniqi nga KDI, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se po manipulohet pikërisht në kohën kur jemi afër balotazhit.

“Vendimi i Qeverisë – në kohë të fushatës zgjedhore – për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj; dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj; është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet. Kësisoj, dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë.

Aq më keq, kur për forma të tilla të abuzimit keni kritikuar qeveritë e kaluara – keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën.
Ka mbetur vetëm edhe të premtohet që Zhegra dhe Zhuri do të bëhen komuna”, përfundoi Krasniqi.

Vendimi i Qeverisë për shtesat për pensionet, Krasniqi: Rast tipik i abuzimit për përfitime të partisë në pushtet

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me gazetarin i cili merret me çështje ekonomike, Zekirja Shabani. Shabani, tha se ndihmat e konfirmuara sot e zbusin përkohësisht situatën e rëndë socio-ekonomike.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të ndihmuar kategori të caktuara të shoqërisë pas goditjes nga pandemia dhe valës së shtrenjtimit të çmimeve e zbutë përkohësisht situatën e rëndë socio-ekonomike.

Megjithatë, nuk është zgjidhje për përmirësimin e jetës së këtyre kategorive në afatgjatë”, tha fillimisht ai.

Tutje, Shabani shtoi se në vend të ndihmave sociale, qeveria duhet të shoh për opsione të cilat rritjen ekonomike e përkthejnë në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

“Në vend të ndihmave sociale, qeveria duhet të shoh për opsione të cilat rritjen ekonomike e përkthejnë edhe në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve. Ky edhe ka qenë zotim i Qeverisë Kurti.

Prandaj, institucionet e vendit krahas këtyre ndihmave duhet të vënë në zbatim mekanizmat për ruajtjen e tregut dhe të luftojnë manipulimet me çmime, si dhe të orientojnë politikat e tyre për një shtet zhvillimor e jo shtet ku qytetarët varen në ndihma sociale”, përfundoi Shabani.

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj shpreson që sa më shpejtë të kemi stabizlim të çmimeve, përndryshe do të jetë e papërballueshme për qytetarët. Në anën tjetër, ai thotë se pakoja e ardhshme mbështetëse duhet të jetë gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë për punëtorët e sektorit privat.

“Uroj që sa më shpejtë të kemi stabilizim të çmimeve përndryshe do të jetë e papërballueshme për qytetarët ndërsa veprimi i kryeministrit për përkrahjen e pensionistëve sado pak do t’iu ndihmojë, njëherit edhe paralajmërimi për masat e reja uroj që të ketë gjithëpërfshirje veçanërisht në sektorin privat, me theks të veçantë, punëtorët. Për dallim nga kryeministri unë vlerësojë që masať të fokusohen në lehtësimin e të bërit biznes, që do reflektonte në uljen e çmimeve dhe rrjedhimisht do të ndikonte në rritjen e fuqisë blerëse pra në lehtësimin e taksave dhe të tatimeve, së paku për një kohë të caktuar deri sa të stabilizohen çmimet”, përfundoi Kadriaj për GazetaBlic.

Kujtojmë ndërkaq, dje, portali ynë shtjelloi çështjen e rritjes së çmimeve, respektivisht inflacionit, që po vë në pah një tjetër krizë në vendin tonë, teksa njohësit e fushës kanë treguar se cilat masa duhet ndërmarrë, për të evituar ndonjë krizë eventuale më të rrezikshme.

Rritje çmimesh, zvogëlim mirëqenieje – Të varfërit e Ballkanit s’e shohin në horizont dritën potenciale në fund të tunelit!

/GazetaBlic/