Për të kundërshtuar vendimin për dënimin e ulët që i është dhënë një përdhunuesi të një vajze 15 vjeçare u organizua edhe protestë ditën e djeshme.
Dënimi prej tetë muajsh i dhënë nga prokurorja, Lirije Morina, pretendohet se është shkelje ligjore e për këtë ka reaguar edhe Gjykata Supreme e Kosovës.
Kryetari i kësaj gjykate Enver Peci, ka kërkuar kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha, që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast.
“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit për veprën penale Dhunimi, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast” thuhet në kumtesën e gjykatës.
Mes tjerash thuhet se Peci zotohet se çdo rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do te trajtohet ne mënyre efikase dhe te drejtë.
Kujtojmë se për këtë rast ka reaguar edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.


