A dëgjove? Është rrit çmimi i bukës! Po, e pashë! Po më duket edhe mielli e sheqeri poashtu! Sa keq. Si do ta kalojmë dimrin? Drunjtë janë shtrenjtuar poashtu. Po për vajin…ç’thonë? Njëjtë gjithashtu. Zoti ‘hajër’ e bëftë!
Është kjo bisedë mes dy kosovarëve që javë më parë për produktet esenciale kishin paguar dukshëm më pak nga të ardhurat e tyre minimale, për ata që i kanë minimale, e që janë shumica, gjithmonë duke u bazuar në statistika, shkruan GazetaBlic.
Pikërisht kur po diskutohet kjo rritje e çmimeve, qarkulloi si për ironi një premtim i kryeministrit aktual, Kurti, i cili shtatë vite më parë, si një opozitar i majtë, besa edhe goxha i theksuar, premtonte ndryshime në të mirë të qytetarëve, ku theksin atëbotë e kishte vënë te ulja e çmimeve për produktet respektive.
Por, tani, në një tjetër drejtim e dimension, Kurti po kërkon qetësi e durim nga kosovarët, që dorën në zemër, sot përmes një adresimi publik morën premtimin se do të mbështeten me pako masash.
Megjithatë, para se të premtonte këto ndihma, Kurti kritikoi ata që po e kritikojnë atë. Sipas tij, opozitarët aktualë e pushtetarët e dikurshëm, s’e kishin asnjëherë brengë çmimin e bukës. Sipas tij, inflacioni aktual, që sipas ekspertëve është i moderuar, ka ardhur si pasojë e ndryshimeve botërore, ku një nga kryesoret është edhe pandemia, që ka luajtur rol galopant në këtë ndryshim rendi ekonomik për shumëkë.
Gjithsesi, njohësit e fushës mendojnë se që nga ardhja e pandemisë, është proklamuar dhe parashikuar një situatë e tillë.
Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë dhe një kohë të gjatë i pari i Odës Ekonomike të Kosovës, në një prononcim për GazetaBlic, ka thënë se momentalisht jemi në pandemi ekonomike. Kjo pandemi është dëshmia më e qartë se bota më nuk është se çka qenë.
“Disbalanca mes ofertës dhe kërkesës duket të ketë sjellur këtë rritje, që realisht është enorme. Për ta ilustruar këtë që po themi është çmimi i rrymës. Por, diçka duhet ta kemi të qartë. Sot në botë nuk ka distancë. Çdo ndryshim apo krizë në botë, reflektohet edhe tek ne. Në këtë moment duhet të kuptohet se Kosova hyn në pozitë të palakmueshme, pasi është një shoqëri që varet nga importi”, tha fillimisht ai.
Kurse, sa i përket asaj se nëse njerëzit duhet t’i rrisin kursimet apo t’i zvogëlojnë shpenzimet për të parandaluar këtë gjë, Gërxhaliu tha se Kosova do të ketë përparësi në aspektin psiqik, pasi është mësuar për vite të tëra me kriza të tilla.
“Në një aspekt qytetarët e Kosovës do ta kenë lehtë përballjen me këtë krizë, pasi janë mësuar me vështirësi për vite të tëra. Por, kjo nuk është gjithçka. Duhet të tregojmë maturi në këtë drejtim. Por, shpresoj që Qeveria të reagojë me pako rimëkëmbjeje, sidomos në favor të sektorit privat. Në fund të fundit, Kosova nuk duhet të bëjë asgjë më shumë sesa vendet e tjera, por thjesht të kenë kujdes”, përfundoi Gërxhaliu për GazetaBlic.
Në anën tjetër, kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha ata e kanë ngritur si çështje këtë problem, teksa shpresojnë që kërkesat e tyre të pranohen. Sipas tij, nëse është e vërtetë që ka rritje ekonomike dyshifrore, atëherë le të ndjehet edhe tek punëtorët.
“Ne e kemi ngritur si çështje. Punëtorët e sektorit privat vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme. Ne e kuptojmë faktin që ndryshimi i çmimeve është edhe jashtë, por edhe shteti duhet të reagojë, pasi ai duhet t’i mbikëqyrë këto ndryshime. Sipas zërave, ne kemi rritje ekonomike dyshifrore, 10,11 e deri 15-16%, andaj nëse vërtetë kemi këso rritje, le ta ndiejnë edhe qytetarët”, tha Azemi për GazetaBlic.
Të premtën që shkoi, në kuadër të dokumentarit “Expose”, prodhim i portalit GazetaBlic, u shfaqë episodi me temën “Inflacioni”, temë kjo që shtjelloi në detaje problemet aktuale dhe ato potenciale nga kjo krizë që ka kapluar vendin, me shpresën se do t’ia dalim, në njërën nga epokat më të panjohura për botën mbarë.
/GazetaBlic/


