Partitë politike parlamentare shprehen njëzëri për parimet e dialogut.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) pajtohen me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë për njohje reciproke në kufijtë aktual dhe duke ruajtur kushtetutshmërinë e vendit.
Megjithatë, theksohet se status-quo-ja e dialogut po e dëmton Kosovën dhe mungesa e një marrëveshje finale po e pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Në konferencën e sotme të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për ndikimin e dialogut në politikën e jashtme, u kërkua edhe prezencë më e madhe diplomatike të Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Megjithëse u tha se staus-quo e dëmton Kosovën, deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli-Dalipi, tha se qasja kryesore e Kosovës është njohja reciproke me Serbinë ku ruhet tërësia territoriale, por suksesi nuk varet vetëm prej Kosovës, por edhe palës tjetër.
“Dialogu nuk varet vetëm nga Kosova, suksesi i dialogut nuk varet prej Qeverisë së Kosovës, varet shumë se kush janë ata që ne po diskutojmë[…]Përveç dialogut çfarë ka ndikuar në politikën tonë të jashtme, duhet përmendur se ne nuk kemi pasur ambasada të përgatitura që të shtyjnë tutje agjendën e Kosovës, ambasadat tona janë udhëheq prej njerëzve që kanë qenë fytyra politike të partive në pushtet që shumicën e rasteve i kanë shërbyer partive politike dhe interesave të tyre private”, tha Pacolli-Dalipi.
Duke treguar pozicionin e LDK-së për dialogun, nënkryetarja, Shqipe Mjekiqi tha se mungesa e një marrëveshje finale po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare duhet të sjell njohje reciproke të dy vendeve, gjithashtu duke respektuar kufijtë aktual dhe kushtetutshmërinë e Kosovës[…]Staus quo nuk është e mirë për dyja palët, por aq më tepër për Kosovën, për shkak se ne jemi në një situatë tjetër, pasi nuk kemi liberalizim të vizave, pastaj ju keni përmendur në raport edhe se mungesa e një marrëveshje finale pengon në anëtarësime të Kosovës në organizata ndërkombëtare, s’po flasim vetëm për kohën sa kishte moratorium, por në vazhdimësi”, shtoi ajo.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Bernard Nikaj tha se në kuadër të politikes së jashtme duhet të dallohet objektiva për rrugëtim me BE-në dhe anëtarësim në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ai i kërkoi edhe Qeverisë së Kosovës definim të qartë të objektivave dhe rrugëtimit të Kosovës në dialog.
“Politika jonë e jashtme në raport me BE-në ka qenë dhe vazhdon të jetë ngushtë e lidhur me atë se çfarë është arritur, çfarë po bëhet dhe çfarë mund të arrihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Në anën tjetër ne në vazhdimësi kemi provuar dhe duhet të vazhdojmë të provojnë që të ndajmë objektiven në anëtarësim në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar me palë të treta[…]sot jemi në një moment ku sa më shpejtë duhet të definojmë dhe ndërtojmë një konsensus politik dhe shoqëror se cila është objektiva jonë në dialog dhe cilat janë mjetet dhe rrugët që duhet të ndiqen”, shtoi ai.
Pjesë e kësaj konference ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Tomas Kolly, i cili i kërkoi institucioneve në Kosovë të përqendrohen në anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Derisa tha se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për Kosovën.
“Politikat e jashtme janë gjithmonë çështje e veçantë e sistemit të qeverisjes dhe sidomos në Kosovë ku politikat e jashtme janë tërësisht thelbësore, sidomos kur flitet për dialogun. Mendoj se politika e jashtme ka pasur ndikim në secilën ndikim në secilin qytetarë dhe e njëjta është e rëndësishme më shumë për Kosovën se sa për shtetet tjera”, tha ai.
Ndërsa, hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, tha se periudha kohore kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është e paqartë.
“Është e paqartë periudha kohore kur eventualisht mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes palëve. Situata e tanishme nuk duhet aspak shpresëdhënëse, sidomos për Kosovën. Në njërën anë kemi në Serbi zëra gjithmonë të shtuar dhe qëndrim se asnjëherë nuk do të ketë njohje të Kosovës, ndërsa në anën tjetër në Kosovë kemi anashkalim të paktën deklarativ të kësaj temë dhe polarizim të skajshëm që e ka vënë procesin e dialogut në status-quo. Një status quo e tillë do të humbin të dy palët, ndonëse është më e qartë se humbës më i madh do të ishte Kosova”, tha ai.