Fit&Sexy

Pesë simptoma befasuese të lidhura me periudhën e menopauzës

10/21/2021 13:59
nga:G C

Menopauza është rezultat i një rënieje të hormoneve që janë të ndërlidhura me një mori qelizash në trupin e femrës.

Mungesa graduale e progesteronit dhe estrogjenit mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, me më shumë se 30 simptoma të lidhura vetëm me menopauzën. Doktori Martin Kinsella, themeluesi i Bio ID Health, shpjegoi se pesë shenja të lidhura me fazat e hershme të menopauzës mund të ju befasojnë.

Estrogjeni, i cili luan një rol kyç në shëndetin e lëkurës, është një nga hormonet e para që bie ndjeshëm gjatë menopauzës. Ka lidhje të forta me prodhimin e kolagjenit, i cili është një nga blloqet ndërtuese të shëndetit të lëkurës.

Doktor Kinsella shpjegoi: “Estrogjeni ndihmon lëkurën të qëndrojë e hidratuar. Ai stimulon prodhimin e vajrave natyralë dhe kolagjenit, i cili është një proteinë natyrale që ruan forcën dhe elasticitetin e lëkurës”.

Në pesë vitet e para të menopauzës, gratë mund të humbasin 30 për qind të kolagjenit të tyre natyror, gjë që mund të shkaktojë që lëkura të bëhet më e thatë. “Për shkak se lëkura bëhet më e thatë dhe më pak elastike gjatë menopauzës, mund të vëreni se bëheni më të ndjeshëm ndaj produkteve të caktuara”, shtoi Mel Gravel-Barnes.

Tharja dhe kruajtja e lëkurës ndonjëherë do të shoqërohet me ndryshime në pjesë të tjera të trupit, siç janë flokët. “Humbja e flokëve gjatë menopauzës është rezultat i drejtpërdrejtë i niveleve të ulëta të estrogjenit dhe progesteronit”, shtoi mjeku Kinsella.

“Këto hormone ndihmojnë flokët të rriten dhe të qëndrojnë në kokë për periudha më të gjata kohore. Ndërsa nivelet e hormoneve bien, flokët kanë tendencë të rriten më shpejt dhe të bëhen shumë më të hollë. Ju duhet të siguroheni që jeni duke marrë proteina të mjaftueshme në dietën tuaj. Flokët tuaj janë të përbërë nga një substancë e quajtur keratin, e cila është një proteinë e bërë nga aminoacidet. Ndërsa nuk gjendet drejtpërdrejt në ushqim, prodhimi i tij ndikohet drejtpërdrejt nga sasia e proteinave në dietën tuaj”.

Nuk është e pazakontë që era e trupit të ndryshojë gjatë menopauzës, pasi një rritje e hormoneve mashkullore mund të çojë në sasi më të larta të baktereve të pranishme në gjëndrat e djersës. Ndërsa trupi djersitet më shumë, disa gra mund të marrin një erë më të fortë rreth sqetullave dhe organeve gjenitale. Doktor Kinsella tha: “Ndërsa nivelet e estrogjenit tuaj bien, ka më pak eksfolim brenda vaginës. Kjo, e kombinuar me thatësinë natyrale që mund të përjetoni me menopauzën mund të shkaktojë rritjen e niveleve të pH, duke ju bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe inflamacionit”.

Doktor Kinsella shpjegoi: “Urinimi i dhimbshëm është një tjetër problem që lidhet me menopauzën dhe shpesh mund të pasqyrojë simptoma të ngjashme me një UTI; pa infeksion. Kjo normalisht ndodh sepse indet në vaginën dhe uretrën tuaj humbin elasticitetin e tyre”. Është e zakonshme që gratë të raportojnë dallime në aftësinë e tyre për të menduar qartë gjatë menopauzës. Hormoni i parë që bie gjatë menopauzës është progesteroni, duke shkaktuar shqetësime të gjumit, të cilat nga ana tjetër mund të pengojnë aftësinë e trurit për të funksionuar siç duhet. “Hormonet tuaja luajnë një rol të madh në aktivitetin e trurit, kështu që natyrshëm pasi ato ulen, funksionet tuaja njohëse mund të bien”.