Edhe komuna e Klinës si shumë komuna të tjera të Kosovës pritet t’i drejtohet raundit të dytë votimit, raporton Gazeta Blic.
Kandidati i kësaj komune nga radhët e AAK-së, Zenun Elezaj, u rendit i pari me 43.10% të votave, vota këto të pamjaftueshme për të marrë drejtimin e komunës.
Në vend të dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Esat Rraci me 27.60% të votave, në vendin e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës me 19.41% të votave dhe në vendin e katër Lëvizja Vetëvendosje me 9.88% të votave.
Gazeta Blic ka kontaktuar me kandidatin Elezaj dhe e ka pyetur se me cilin nga subjektet politike pritet të bëjë koalicion para balotazhit.
Elezaj tha se janë të interesuar të bashkëpunojnë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
“Jam i interesuar me vazhdu bashkëpunimin me LDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje por pas certifikimit të rezultateve do të vendosim kontaktet. Jam i interesuar por kjo varet prej atyre ” tha shkurt Elezaj për Gazeta Blic.



