Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, vlerëson se partia e ka kuptuar ndryshimin që kanë kërkuar qytetarët që nga zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit.
“Nuk e kam të lehtë të flas për vitet e kaluara pasi vetë s’kam qenë pjesë e politikës dhe nuk mund të jap leksione se çfarë duhet të bëhet më mirë. Ka pas një lloj mllefi kundër partive politike – ne e kemi lexuar drejtë se qytetarët kanë kërkuar ndryshim. Jemi adaptuar por nuk jemi shuar”.
“Është normale që kërkesat e qytetarëve në vitin 2021 nuk janë të njëjta me ato të vitit 2008. Nuk e di a janë këto shkak-pasojë zgjedhjet e 14 shkurtit dhe 17 tetorit por procesi i reformimit të brendshëm na është imponuar pak në mënyrë të padëshirueshme pasi kreu ynë gjendet në Hagë”, u shpreh Çitaku.
Çitaku në “Rubikon” theksoi se reformimi i partisë ka filluar shumë më herët dhe se nuk ka dyshim se në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale do të dalin shumë më mirë pasi sipas saj elektoratit i është rikthyer besimi dhe shpresa në PDK-në.
“Procesi i reformimit ka filluar shumë më herët, por ndonjëherë mjafton të mbjellësh farën e derisa të rritet fryti donë kohë. Reforma nuk është thjeshtë ndryshim në udhëheqje është shumë më shumë. Ka qenë një ditë shumë e mirë për Kosovën kanë qenë zgjedhje shumë të mira dhe Kosova mund t’i japë leksion rajonit për organizim të zgjedhjeve të lira dhe pranimin e rezultateve”.
“Është e vërtetë që PDK-ja ka shënuar një rikthim dhe muajin e fundit kam qenë në terren dhe sot me kryetarin Krasniqi i vizituam shumë komuna dhe ka një rikthim të besimit të elektorati të PDK-së dhe raundi i dytë do të jetë shumë më i lehtë për ne sesa i pari. Është kthyer vetëbesimi dhe shpresa dhe kam parë një ringjalle të mbështetësve dhe simpatizantëve për raundit e dytë shumë më shumë sesa në të parin”, deklaroi Çitaku në Klan Kosova.