Kandidatja për kryetare të Gjakovës nga LVV, Mimoza Kusari-Lila, ka falënderuar qytetarët që dolën në votime për “Zgjedhjet Lokale 2021”.
Gjatë fjalës së saj në seancën e radhës plenare në Kuvend, ajo tha se qytetarët e Kosovës ishin shembullorë në sjelljen dhe pjesëmarrjen në zgjedhjet e radhës, ato lokale.
“Janë disa procese zgjedhore me radhë të cilat dëshmojnë kulturë të lartë demokratike dhe organizim të mbarë nga Institucionet përgjegjëse. Dalja e votuesve ishte më e vogël për 6% por mjaftueshëm për ta pasur një proces kredibil. I falënderojmë të gjithë votuesit e Kosovcës të cilët morënpjesë në zgjedhje, respektuan masat antiCOVID gjatë fushatës dhe inkurajojmë që të jenë pjesëmarrës edhe më 14 nëntor”.
Tutje, Kusari-Lila foli edhe për situatën me pandeminë në Kosovë.
“Kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm me pandeminë, duke pasur numrin më të ulët në rajon të infektimeve, me rritje të lartë të normës së vaksinimit krahasuar me vendet e rajonit. 35.6 përqind janë të vaksinuar me dy doza ndërsa në total janë administruar mbi 1 milion e 400 mijë njerëz, por duhet mirëmbajtur masat në fuqi përderisa ato vlerësohen të domosdoshme”, tha Kusari-Lila.


