Gjuajtje të drejtpërdrejta me armë zjarri, hedhje e bombolave të gazit, granata luftarake janë përdorur të mërkurën nga grupe kriminale të organizuar në veri të Kosovës për të sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, dhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.
Këto tensione erdhën pas një operacioni të Policisë së Kosovës e Doganës kundër kontrabandës, që u realizua në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore.
Mirëpo, në Mitrovicën veriore situata u tensionua shumë, duke lënë kështu 10 policë të lënduar.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se aksioni në veri nuk duhet të lidhet me fushatë, pasi që sipas tij, aksioni ka qenë i përgatitur më herët.
Ai shton se në aksione të tilla nuk varet situata politike në vend.
“Me sa duket shkak i përleshjes së tillë apo një pritje të tillë që pat pasoja, ka ndodhur që informacioni ka rrjedh më herët, kështuqë ata kanë qenë të përgatitur dhe pasojat ishin të rënda. Mirëpo Policia realisht ka përdorur një profesionalizëm. Nuk e kisha lidhur me fushatë, ky aksion ka qenë i përgaditur më herët kështuqë nuk varet çfarë situate është në vend, aksioni zbatohet kur urdhërohet nga prokurori apo gjykatësi në procedur paraprake”, thotë Ibishi.
Kurse analisti politik Imer Mushkolaj, thotë për ‘Gazeta Blic’ se këtë aksion e sheh përtej fushatës politike.
“Unë e shoh përtej fushatës këtë aksion, përshkak se bëhet fjalë për një intervenim i cili nuk është bërë vetëm në veri, por është bërë edhe në Mitrovicën e Jugut edhe në Prishtinë edhe në Pejë dhe duke pasur parasysh këtë fakt nuk kemi të bëjmë me një aksion kundër një etnie të caktuar, ne e pam që më shumë kishte të arrestuar shqiptar. Tekefundit duhet me pas parasysh që secili aksion që realizohet në raste të tilla mundet me u konsideru si një aksion ndoshta edhe për fushatë. Unë mendoj që qytetarët janë më të menqur se sa përpjekjet e politikanëve me kriju situata që atyre munden me ja kthy mendjen”, vlerëson ai
Krejt mendim tjetër ndan profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, i cili për ‘Gazeta Blic’, vlerëson se aksioni ka pasur elemente të fushatës.
Sipas tij, ky aksion me gjithë këtë seriozitet ka mund të bëhet edhe të hënën.
Arifi thotë se si shtet duhet të kemi shumë kujdes, pasiqë pala tjetër mund të shfrytëzoj për elemente poltike.
“Aksioni i zhvilluar dje në veri nga aspekti i luftimit të kontrabandimit dhe krimit të organizuar është në rregull, por gjithmon duhet pasur parasysh sepse pala tjetër mund të shfrytëzoj për elemente poltike. Pra këtu duhet të kemi shumë kujdes, sepse mandej hapen shumë tema politike. Sa i përket çështjes se a ka pasur elemte të fushatës, mund të supozojm, por elemente ka pasur sepse ky aksion me gjithë këtë seriozitet ka mund të bëhet edhe të hënën. Kështuqë kjo vetëm na lë të supozojm, por nuk mund të japim fakte të forta për këtë çshtje. Sidoqoftë si shtet duhet të jemi më të kujdesshëm”, thotë ai.
Rreth 20 gazetarë po ashtu ishin viktima të sulmeve të serbëve që vendosën barrikada për të kundërshtuar operacionin e Policisë së Kosovës.
Serbët kanë kundërshtuar operacionin policor, duke sulmuar policët me gurë e kishin djegur vetura, të cilat raportohet të kenë qenë me targa RKS.
Pas bllokimit të rrugës në Rudar të Zveçanit, kamionë që në mes të rrugës të ndaluar janë parë sot edhe në rrugën Mitrovicë-Zubin Potok.
Lidhur më gjendjen e krijuar sot në veri, është deklaruar edhe NATO. Të cilët thonë së janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse në Kosovë, dhe se Polica ka kryer operacion në zbatim të ligjit.
Në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve” ishin vendosur kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë veriore të qytetit, të cilat qëndruan aty deri në orët e mbrëmjes.
Reagime të shumta pasi Borrell e qortoi Kosovën për aksionin në veri