Lajme

Koreja e Veriut e rrezikuar nga uria, shteti komunist nuk heq dorë nga armët bërthamore

10/13/2021 21:12
nga:Y I

Fëmijët dhe të moshuarit në Korenë e Veriut janë të rrezikuar nga uria, tha një ekspert i OKB -së.

Raportuesi special i OKB -së për të drejtat e njeriut, fajësoi sanksionet ndërkombëtare dhe për përkeqësimin e mungesës së ushqimit.

Si rezultat, koreanoveriorët po luftojnë çdo ditë për të “jetuar një jetë me dinjitet”, tha Tomas Ojea Quintana.

Ai bëri thirrje që sanksionet – të vendosura mbi programet bërthamore të Koresë së Veriut – të hiqen për të parandaluar një krizë.

Sipas raportimeve, Koreja e Veriut po kalon një situatë të rëndë ekonomike.

Shteti komunist mbylli kufijtë për të frenuar përhapjen e Covid-19. Si rezultat, tregtia me Kinën ka rënë. Koreja e Veriut mbështetet në Kinë për ushqim dhe karburant.

Këtë javë, udhëheqësi Kim Jong-un pranoi se vendi po përballej me një “situatë të zymtë”, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Ka pasur raporte se çmimet e ushqimit ishin rritur në mënyrë dramatike, ku në qershor një kilogram banane kushtonte 45 dollarë.

SHBA nën Presidentin Joe Biden ka thënë vazhdimisht se është e gatshme të bisedojë me Korenë e Veriut, por ka kërkuar që Pheniani të heqë dorë nga armët bërthamore para se të lehtësohen sanksionet. Koreja e Veriut deri më tani ka refuzuar.

Pavarësisht vështirësive ekonomike, Koreja e Veriut ka vazhduar të ndërtojë arsenalin e saj të armëve dhe raketave.

/Gazeta SHQIP/