Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj përmes profilit të tij në facebook ka thënë se ne qeverisjen e tij, zonat rurale të kryeqytetit do të trajtohen si potencial për zhvillim ekonomik.
Haradinaj shtoi se kjo është një prej arsyeve pse vend të veçantë në programin e tij për Prishtinën ka revitalizimi i infrastrukturës në zonat rurale të Prishtinës, sepse të neglizhuara nga qeverisja komunale, këto fshatra përballen me vështirësi të panumërta.
Postimi i plotë:
Fshati Bardhosh dhe fshatrat përreth si Truda, Milevci, Sinidolli, Bernica, e Siqeva janë diskriminuar nga pushtetet e kaluara, janë lënë të përjashtuara nga investimet në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë.
Kjo është një prej arsyeve pse vend të veçantë në programin tonë për Prishtinën ka revitalizimi i infrastrukturës në zonat rurale të Prishtinës, sepse të neglizhuara nga qeverisja komunale, këto fshatra përballen me vështirësi të panumërta.
Bardhoshi dhe fshatrat përreth ballafaqohen me mungesë të kushteve elementare. Nuk ka as çerdhe e qendra kulturore, e as një park të madh përkundër potencialit që u ka falur natyra. Për më keq, shumë investime të nisura në infrastrukturë janë lënë në gjysmë.
Dhe për ta bërë më të vështirë jetën e banorëve, nuk punon as ambulanta e fshatit tani e gjashtë muaj dhe banorët kanë mbetur pa përkujdesje mjekësore.
Ne kemi plane për këtë zonë. Me dyfishimin e buxhetit për subvencionim në makineri dhe rendimente në bujqësi, kësaj pjesë të Prishtinës do t’ia japim shansin për zhvillim dhe mirëqenie të barabartë me pjesët e tjera të kryeqytetit.
#eparaPrishtina
#punamarë