Serbët e shqiptarët nuk janë palët e vetme që vendosin për ujdinë e mundshme finale për normalizimin e raporteve në mes tyre.
Faktor me rëndësi për të arritur marrëveshja në mes Kosovës e Serbisë, është edhe Rusia.
Moska zyrtare nuk është e interesuar për qetësi në Ballkan.
Ish ambasadori dhe njohësi i rrethanave politike, Lulzim Peci, tregon arsyen për sjelljen e tillë të Rusisë karshi rajonit.
“Ata nuk duan t’i lënë serbët të arrijnë një marrëveshje me Kosovën sepse në momentin që kjo marrëveshje është arritur Rusisë do ti humbë aduti kryesor i presionit ndaj Serbisë, i cila është Kosova”.
Megjithatë, ai e sheh një mënyrë për të evituar rolin e Moskës zyrtare.
“Duhet të ketë një konsensus të plotë midis Uashingtonit, Brukselit dhe 5 vendeve që e nuk e kanë njohur Kosovën”.
Sa i përket vet procesit të dialogut, Peci thotë se nuk po tregon rezultatin e pritur. Këtë qëndrim ai e argumenton me zhvillimet në veri të vendit pas vendosjes së reciprocitetit për targat.
Bile sipas tij, ngjarjet e fundit dhe marrëveshja në Bruksel për targat kanë bërë që shteti gjerman të mendojë një plan tjetër për ujdinë finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ka një ndryshim të qasjes nga Gjermania dhe ka të ngjarë që një marrëveshje të arrihet pa njohje eksplicite, e cila ndoshta do të sigurojë njohjen nga pesë vendet e Bashkimit Evropian”.
Ish-ambasadori kosovar procesin e dialogut po e sheh se po lëvizë një hap përpara e dy hapa mbrapa.


