Ani se kriza energjetike ka prekur ekonominë e Kosovës dhe pritet që të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, qeveria ende nuk ka ndërmarr ndonjë veprim për t’u ballafaquar më ketë sfidë.
Organizata nga shoqëria civile kanë kërkuar nga ekzekutivi i vendit që menjëherë të miratojë fondin e konsumatorëve në nevojë dhe të miratojë një pako të ringjalljes, e cila do ta ketë fokus sektorin e energjisë. Në anën tjetër, në KEDS-së thonë se ende nuk ka ndonjë shtrenjtim të rrymë, përderisa shprehen se për muajt në vijim nuk mund të spekulojnë se do të ketë ngritje të çmimit apo jo.
Sa i përket ngritjes së çmimeve, ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari pa dashur të flas për veprimet e ardhshme, thotë se departamenti përkatës i kësaj ministrie vazhdimisht është duke mbledhur ankesa nga konsumatorët, të cilat sipas saj do të trajtohen.
“Këto ankesa dhe kërkesa drejtohen tek Autoriteti i Konkurrencës, kështu që nuk është e tëra në kompetencën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, por në bashkëpunim të afërt me Autoritetin e Konkurrencës. Ne presim që bordi i ardhshëm i autoritetit të konkurrencës të intensifikoj bashkëpunimin me ministrinë tonë… Po, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, po mbledh të gjitha ankesat e konsumatorëve për t’i diskutuar me autoritetin e konkurrencës”, thekson ajo.
E Fabrika “Newco Ferronikeli” të premten ka ndal përkohësisht prodhimin për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) thotë se edhe vendi ynë sikur Shqipëria do të preket nga kriza energjetike, derisa thekson se Kosova është e papërgatitur për t’u përballur me këtë krizë.
“Kjo i prek veçanërisht çmimet e importit, dhe natyrisht që Kosova do të preket nga kjo krizë energjetike. Ajo që duhet vën në dukje, është fakti që ne si shoqëri dhe si shtet jemi të papërgatitur për t’i përballuar krizat e tilla. Ne sektorin e naftës ne ende nuk kemi miratuar Ligjin për rezervën e obligueshme të naftës që do ta na lejonte një sasi të rezervës që mund t’i zbuste këto lloj krizash. Në anën tjetër edhe në sektorin e energjisë elektrike ne nuk kemi themeluar ende fondin e konsumatorëve në nevojë. Nuk kemi skema mbështetëse për konsumatorët të cilët preken më së shumti dhe nuk kapacitete të mjaftueshme të brendshme dhe të decentralizuara të cilat do të mund të prodhonin më shumë në këtë kohë të krizës”, thekson ai.
Madje, Abazi ka thënë se tashmë edhe çmimet e energjisë elektrike dhe të derivateve kanë nis të shtrenjtohen, derisa i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë masa ndaj kësaj krize.
“Tashmë po shohim një pjesë të çmimeve të energjisë që po rriten, sidomos në sektorin e naftës, dhe karburanteve, pra veç se jemi duke u përballur me këtë krizë. Në anën tjetër, kompanitë energjisë elektrike që të importojnë energji me çmime shumë të larta të importit në kohën kur ne do të kemi nevojë më tepër energji, sidomos në këta muajt e dimrit dhe natyrisht këto do të jenë pasoja sidomos në faktin që do të ketë shpenzim shumë më të madh të mjeteve për blerje të energjisë jashtë vendit se sa që është planifikuar. Kështu në përshtatje vjetore të tarifave të energjisë, kjo mund të reflektohet me një rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët fundorë. Kjo do të prek sidomos konsumatorët të cilët më së pakti mund të përballojnë rritje të çmimeve të energjisë…Për këtë i bëjmë thirrje qeverisë që menjëherë të miratoj fondin e konsumatorëve në nevojë, të shpallë një pako të ringjalljes cila do të ketë fokus sektorin e energjisë, dhe kështu është rimëkëmbja të jetë më e gjelbër. Prandaj, në këtë mënyrë të mund bashkërisht të përballojmë këtë krizë”, thotë Abazi.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzha thotë për KosovaPress se për çmimet e energjisë elektrike nuk mund të spekulojnë se çka do të ndodhë, pasi siç thotë varet nga shume faktorë, për të cilën do të vendosin akteret energjetikë.
Buzhala ka mohuar të kenë bërë kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) për ngritje të çmimeve.
“E gjithë bota është në krizë energjetike, sigurisht që kjo ka afektuar edhe rajonin, Shqipëria veç e shpalli gjendjen e jashtëzakonshme energjetike. Sigurisht që është Kosova është pjesë integrale e sistemit energjetik ballkanik dhe evropian dhe afektohet normalisht nga këto lëvizje. Aktualisht çmimet e importit janë statosferë, dhe janë katër pesëfishuar në krahasim me vitin e kaluar. Fatmirësia është që ne aktualisht nuk është që jemi duke importuar ndonjë sasi të madhe, pasi që mjafton prodhimi vendor. Kërkesa nuk është rritur ende dhe jemi në parametra normal deri më tash. Sigurisht që pritjet janë që të ndryshoj çdo situatë, mirëpo ne nuk mund të spekulojmë se çka do të ndodhë. Gjendja fillestare dihet se nuk është sikur vitin e kaluar, kanë ndryshuar parametrat. Do të evalvohen në këtë situatë gjithë akterët energjetikë, të cilët do të ulën dhe shikojnë se si do të procedohet tutje. Varësisht, nga situata, sepse nuk dihet cili do të jetë konsumi dhe prodhimi”, thotë ai.
Ai ka mohuar po ashtu se ka pasur rritje të çmimeve të energjisë elektrike tash e disa vjet.
“Jo, nuk ka pasur rritje të çmimeve tash e disa vjet, madje në disa raste ka pasur edhe ulje të lehta. Po flasim për një periudhë shtatë-tetë vjeçare ku çmimet e energjetike nuk janë rritur në asnjë rrethanë. Vazhdojnë të jenë ato që kanë qenë, përkundrazi janë eliminuar tarifat komplet që kanë qenë gjatë dimrit. Po , flasim për një situatë normale, e cila në asnjë rrethanë nuk paraqet rritje”, thotë ai.
Ndryshe, Shqipëria është në gjendje emergjence, deri në 15 prill 2022.
Qeveria shqiptare dje ka shpallur për 6 muajt në vazhdim gjendjen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
Sipas vendimit, operatorët e energjisë duhet të pezullojnë investimet, për të garantuar rrymë pa ndërprerje, ndërsa qeveria duhet të sigurojë fondet për të kaluar me sukses situatën e jashtëzakonshme.