Lajme

Samiti i Sllovenisë – Ç’thonë analistët kosovarë për kryefjalën e ditës në arenën politike evropiane?!

10/06/2021 20:12
nga:M K

Vëmendja mediatike doemos se ishte tek ta. Krerët evropianë u mblodhën sot në qytetin Brdo, rreth 20 kilometra në verilindje të kryeqytetit slloven, Ljublanës.

S’kishin si të mungonin as ata të Ballkanit Perëndimor, në nderim të të cilëve, gjithmonë në parim, u organizua edhe ky samit, përcjell GazetaBlic.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ai i Shqipërisë, Edi Rama ishin pjesëmarrës poashtu, me synimin e vetëm për të konfirmuar angazhimin për integrim euro-atlantik, për të dy shtetet, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.

I pari i ekzekutivit kosovar, Kurti, pati edhe një takim të paralajmëruar me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Kurti tregon çka biseduan në praninë e Merkel dhe Macron, zbulon detaje nga takimi me Vuçiqin

Palët u takuan në prani të krerëve gjermano-francezë, pra Merkel e Macron. Ky i fundit tha se Europa duhet t’u ofrojë një perspektivë vendeve të Ballkanit Perëndimor, teksa Merkel foli rreth takimit Kurti – Vuçiq, ku potencoi faktin se pati lëvizje para në dialogun Kosovë – Serbi, ani pse s’e mohoi dot faktin se zgjidhja përfundimtare nuk është lehtë e arritshme.

​Merkel: S’është e lehtë zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi, por kemi bërë hapa të vegjël në drejtimin e duhur

Por, ç’thonë analistët kosovarë lidhur me këtë Samit?

Imer Mushkolaj, në një prononcim për GazetaBlic, tha se BE tregoi sërish paaftësinë e saj lidhur me një datë të saktë se kur mund të ketë integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, sipas Mushkolajt, në këtë mënyrë, Bashkimi Evropian vetëm sa po e rrit skepticizmin e këtyre vendeve.

“BE tregoi edhe njëherë paaftesinë e vet që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u ofrojë një datë të saktë për anëtarësim. Në këtë mënyrë BE vetëm sa po e rrit skepticizmin e këtyre vendeve. Mungesa e konsensusit dhe vendimmarrjes në BE, sidomos karshi liberalizimit të vizave për Kosovën, tregon se BE nuk e ka fuqinë të çojë përpara procese çfarë është përfundimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Berdo sot, BE përsëriti edhe njëhere premtimet e Selanikut të vitit 2004, por pa afat kohor e as strategji për realizim”, tha fillimisht Mushkolaj.

Ndërkaq, takimin Kurti – Vuçiq, njohësi i çështjeve e cilësoi si kurtoazie, pra gatishmëri për vazhdim të tij, por pa ide konkrete se si apo në ç’afat do të përfundojë.

“Sa i përket takimit Kurti-Vuçiq, ishte një takim kurtoazie, sa për të përsëritur përkushtimin se dialogu do të vazhdojë, por sërish pa ide konkrete si dhe kur do të përfundojë”, përfundoi ai.

Publikohet deklarata e plotë e Samitit të Sllovenisë

Një tjetër analist/publicist që i ka përcjellur zhvillimet në Kosovë, Halil Matoshi, ka shprehur rezervat e tij për këtë takim, madje aq sa për ta etiketuar edhe të kotë. Organizatën kryesore të kontinentit të vjetër ai e quajti të pavizion, ndërsa tha se targat apo diplomat janë temat e vetme për të cilat mund të gjejnë akord palët nën ombrellën e Bashkimit Evropian.

“Edhe një samit i kotë i BE me WB6, pa asnjë dritë në fund të tunelit. Takimi Kurti-Vuçiq mund të sjellë marrëveshje për lëvizje të lirë (targa) dhe njohje të diplomave.

BE nuk ka vizion, derisa po e kupton se në Ballkan, Rusia, përmes kërcënimeve hibride po e shtrinë ndikimin e saj, gjë që u përmendë edhe në deklaratën e Samitit”, tha fillimisht Matoshi për GazetaBlic.

Ndërkaq, e ripotencoi faktin se sipas tij, pa kyçjen e SHBA-së në dialog, nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Pa hyrjën në lojë të ShBA-së, marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk ka! Gjermania dhe Franca po e tërheqin litarin në një anë të kundërt nga ShBA-ja, prandaj nuk shoh zgjidhje të shpejtë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se vet presidenti francez ka thënë se dialogu mes Kosovës e Serbisë është tejet kompleks, kështu në njëfarë mënyre duke e vënë në pah pesimizmin e tij për një zgjidhje finale brenda një kohe të shkurtër.

/GazetaBlic/