Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj është i vetmi që vjen nga krahu i luftës në garën e 17 tetorit për kryeqytetin. Haradinaj njihet si një prej luftëtarëve trima në luftën e fundit, përkundër se ’98 dhe ’99-a e kishin zënë në moshë të re.
Haradinaj shprehet krenar dhe flet në superlativ për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila është kulminacion i përpjekjeve shekullore për çlirim dhe pavarësi.
Haradinaj ka kundërkandidat që vjen nga parti e krahut të luftës, por sillet sikur kandidat i pavarur dhe refuzon t’i prezantojë vlerat me të cilat partia e tij karakterizohet, thuhet në një njoftim të lëshuar për media nga AAK.
Kandidati i AAK-së, Haradinaj, ka edhe një plan konkret për t’iu dhënë vendin e merituar vlerave të luftës në rrugë institucionale, e që lidhen me dhjetëra dëshmorë e qindra invalidë e veteranë të luftës.
Ai planifikon që ta themelojë dhe menaxhojë Zyrën për Vlerat e Luftës. Në programin e Haradinajt thuhet se kjo zyrë do të shërbejë për evidentimin dhe shënimin e ngjarjeve historike të kryeqytetit, si dhe për promovimin e personaliteteve të shquara të Prishtinës.
Jo rastësisht kategoritë e luftës, po e përkrahin pa rezervë Haradinajn në kandidaturën e tij, sepse ai i njeh ato vlera duke qenë se është pjesë e tyre, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.


