Lajme

Sveçla: Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet, ka përfunduar!

10/02/2021 19:13
nga:Y I

Pas tërheqjes së Njësive Speciale nga Veriu dhe zëvendësimit të tyre me trupat e KFOR-it, ka ardhur një reagim edhe nga Minsitri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, raporton Gazeta Blic.

Sveçla theksoi se Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.

Ai tutje tha se Serbia gjatë 13 ditëve bëri gjithçka me makineritë e saj kriminale por as kjo nuk arrit ta zbrapsë Kosovën nga zbatimi i vendimit legjitim.

Reagimi i plotë:

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator për të vazhduar me 4 tetor!

Reciprociteti me Serbinë u vendos me 20 shtator, dhe u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës, dëshmoi se është polici profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim.

Përderisa Republika e Kosovës tregoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, dhe se është e përkushtuar për rend dhe ligj, Serbia përgjatë 13 ditëve përdori të gjitha mjetet, përfshirë dhe veprimtarinë e vet kriminale përmes bllokimit të rrugëve, kërcënimeve për serbët lokal, shantazhit e sulmeve terroriste në institucionet publike.

Por, as kjo ndërmarrje kriminale e sponzorizuar nga qeveria e Serbisë nuk arriti të zbrapsë Kosovën dhe njësitë tona speciale nga zbatimi i vendimit legjitim.
Megjithatë, Kosova bëri dhe një hap para. Mbi parimin e reciprocitetit vendosi që të bashkëpunojë me aleatët tanë dhe pas tërheqjes së barrikadave, të largojë Njësitë Speciale por në bashkëpunim me KFOR-in të sigurojë Policinë Kufitare dhe mbrojë dhe më tutje kufirin me Serbinë.

Epoka kur Republika e Kosovës nënshtrohet ka përfunduar, dhe këtë mesazh tashmë e ka kuptuar Boegradi dhe Brukseli. Kosova ka Qeveri të re sovrane të cilën askush nuk mund ta shantazhojë për shkak të hiseve në krim e korrupsion.

Sovraniteti dhe ligjshmëria do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, me çdo kusht. Krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep. Policia e Kosovës e dëshmoi për 13 ditë se përveç që është profesionale është edhe gatshme të kryej misionin e saj me sukses.

Faleminderit pafundësisht.