Kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq para gazetarëve në Jarinjë deklaroi se pret që deri në ora 16:00 të zhbllokohet rruga në atë pikë kufitare dhe të zhvillohet qarkullimi.
Sipas tij, në momentin që hiqet Njësia Speciale nga ato zona, do t’i heqin edhe ata makineritë e tyre.
“Ushtarët e KFOR-it kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të njësisë speciale. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen. Kryesorja është të ruajmë paqen dhe të kthehemi në normalitet.
Natyrisht se duhet respektuar marrëveshja dhe NATO është garantues. Ishim të përgjegjshëm gjatë kësaj kohe me barrikada. Unë besoj se njerëzit në Prishtinë do ta respektojnë dhe janë të vetëdijshëm çfarë situate është në terren dhe te zbatohet ajo çka është arritur në Bruksel. Populli është gati me i heq kamionët dhe me ju kthy jetës normale sepse normaliteti na duhet të gjithëve”, ka thënë ai para mediave në pikën kufitare në Jarinjë.