Lajme

Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel, deklarohet ish-presidenti Fatmir Sejdiu

09/30/2021 17:46
nga:Y I

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, njoftoi ditën e sotme se mes Kosovës dhe Serbisë është arritur marrëveshja për targat, raporton Gazeta Blic.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, shroi në Twitter, Lajçak.

Në marrëveshje theksohet se duhet të hiqen bllokadat nga serbët në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak gjithashtu edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

Palët janë pajtuar gjithashtu për vendosjen e etiketave ngjitëse në veturat që hyjnë nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.

Në lidhje me marrëveshjen e arritur sot në Bruksel është deklaruar për “Gazeta Blic” edhe ish-kryetari i LDK-së dhe njëherësh ish-president i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Sejdiu tha se është e rëndësishme që të tejkalohet kjo gjendje e cila ka qenë me tensione të shumta të shkaktuara nga makinacionet e Serbisë.

“Nuk kam bërë një analizë të saj, me rëndësi është që të bëhen përpjekje për t’u kapërcyer kjo gjendje e cila ka qenë vërtet me tensione të shumta të shkaktuara drejpërdrejtë nga ana e Serbisë me makinacionet e saj. Mendoj se pala e Kosovës duhet të ketë vërtet parasysh interesin nacional të saj, pra Kosovës. Duhet të studiojë çdo pikë edhe presje, sepse pas një presje mund të fshihet edhe djalli”

“Ajo që ishte me deklaru si ide se do të arrihet qëllimi me një marrëveshje, natyrisht edhe me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare këtu duke pasë parasysh edhe faktorin amerikan, mund të jetë një lëvizje nga kjo gjendje që ka qenë, vërtet gjendje me tension ashtu siç deklarova” tha shkurt Sejdiu për “Gazeta Blic”

Marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë sot në Bruksel e ka cilësuar si sukses edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Eskobar ështës shprehur se pas marrëveshjes dhe vendosjes në veri, KFOR nuk do t’i marrë kompetencat e organeve vendore të sigurisë.

“Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog. I japim mbështetje Lajçakut dhe ekipit të tij për një zgjidhje konstruktive. Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që zbatojë reciprocitetin. Roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por të sigurohet funksionimi i rregullt i pikave kufitare”, është shprehur ai.

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë u arrit pas disa ditëve plot tension dhe provokime nga ana e shtetit serb në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Tensionet eskaluan edhe më tej kur javën që kaloi u dogj Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe u sulmua Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla e cilësoi këtë si akt kriminal me elemente terroriste, përcjell Gazeta Blic.

ZYRTARE: Arrihet marrëveshja për targat në Bruksel

Reagon Sveçla pas arritjes së marrëveshjes për targat