Zgjedhjet Lokale

Abdixhiku i tregon të riut pse po e viziton shpesh Podujevën

09/30/2021 16:38
nga:Gazeta Blic

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, i shoqëruar edhe nga i pari i partisë, Lumir Abdixhiku, takuan të rinjtë e kësaj komune, ku biseduan për shumë tema dhe sfida që i preokupojnë ata.

Me këtë rast, Ekrem Hyseni, tha se është kënaqësi të takohesh me të rinjtë, të cilët i vlerësoi si më të mirët.

“Do të jem përherë afër jush, sepse unë kam qenë, jam dhe do të jem përherë për të gjithë. Ky është misioni im, të cilin e ka pasuruar edhe më shumë profesioni që kam”, iu tha Hyseni të pranishmëve.

Ai më tej, tha se LDK-ja ka një ekip të shkëlqyer dhe një program i cili buron saktësisht nga kërkesat reale dhe nevojat e qytetarëve, ku vend prioritar dhe të veçantë zë rinia.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se ëndrrat e të rinjve janë udhërrëfyes për LDK-në, për të cilat tha se do të punojnë pa reshtur dhe do t’i bëjnë realitet së bashku.
“Sa herë që takohemi bashkë, entuziazmi juaj shndërrohet në një atmosferë tepër pozitive, me plot plane dhe shumë ide, ndërsa mikpritja juaj e ngrohtë në frymëzim të jashtëzakonshëm”, iu tha Abdixhiku të rinjve.

Gjatë takimit, njëri nga të rinjtë, pasi që e vlerësoi prezencën e Abdixhikut, ndër të tjera e pyeti se si e komenton prezencën e tij të shpeshtë në komunën e Podujevës, me ç’rast i riu shtoi se është shumë i kënaqur për një gjë të tillë.

“Po, ke të drejtë. Kam ardhur shpesh dhe të premtoj se do të vij edhe më shpesh, ngase është kënaqësi të qëndrosh në zemër të shtëpisë sonë, në zemër të LDK-së, në Podujevë, pra arsyeja jeni vet ju, për çka edhe iu falënderoj shumë”, iu përgjigj Abdixhiku të riut.
Më tej, Abdixhiku tha se, me LDK-në e rikthyer në pozitën e saj origjinale – si e para në Podujevë, natyrshëm kthehen edhe mundësitë për të gjithë e për zhvillimin të përgjithshëm të komunës.