Zgjedhjet Lokale

Xhafer Tahiri: Kompanitë e Vushtrrisë janë storie suksesi për tërë vendin

09/29/2021 14:20
nga:Gazeta Blic

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili garon për mandatin e dytë për të parin e Vushtrrisë, ka vizituar disa nga bizneset e kësaj komune, me ç’rast ka thënë se kompanitë që operojnë në Vushtrri janë storie suksesi për tërë vendin.

“Zonën Ekonomike e kemi premtuar dhe realizuar, dhe aty tashmë janë vendosur edhe kompani që merren me përpunimin e drurit”, tha Tahiri gjatë vizitës që i bëri kompanisë “Te Duli”, e cila është pjesë e këtij sektori biznesor.

Sipas tij, 76 përqind e të punësuarve në Vushtrri punojnë në sektorin privat, ndërsa me rastin e ndërtimit të Zonësm Ekonomike do të krijohen edhe 820 vende të reja të punës.

Në vazhdën e kësaj vizite, ai u ndal edhe te kompania “Fortesa” dhe Fabrika Novolani, nga ku tha se kompanitë e kësaj komune janë storie suksesi për tërë vendin.

Ndërsa, gastronomet e Vushtrrisë i falënderoi për bashkëpunimin e ngushtë në përballjen me pandeminë, me ç’rast theksoi se ky sektor është ndër më të goditur nga armiku global, Covid-19.

“Komuna dhe unë do të jemi bashkë me gastronomet. Me programin tonë, 0 taksë e tatim në pronë, përfitojnë të gjithë gastronomet dhe të rinjtë vushtrrias pa dallim”, tha Tahiri.
Për më tepër, ai tha se gastronomeve duhet të ju falen dënimet e gjobat.