Kur përmendet Zvicra, nuk ka si të të mos shkojë mendja edhe te çokollatat, produkt i cili e bëri edhe më të njohur shtetin zviceran. Por si arritën industritë e çokollatës në vendin alpin të kenë një sukses të tillë? “House of Switzerland” tregon gjashtë arsye
– NDËR TË PARËT VENDE QË PRODHOI ÇOKOLLATË. Zvicra është një ndër vendet e para që ka prodhuar çokollatë. Në vitin 1819, François-Louis Cailler hapi një fabrikë në Corsier-sur-Vevey. Në vitin 1826 ishte radha e Philippe Suchard, që hapi një fabrikë çokollate në Serrieres, në kantonin e Neuchatel-it. Numri i tyre vazhdoi të rritej deri në fund të shekullit XIX, duke e bërë çokollatën të famshme në Zvicër por edhe duke rritur njohuritë në këtë fushë.
– ÇOKOLLATË DHE QUMËSHT – NJË KOMBINIM ‘FITUES’. Në vitin 1875 Daniel Peter mendoi ta kombinonte qumështin me çokollatë. Pas përpjekjeve të shumta në fabrikën e tij Vevey, ai zbuloi përzierjen e përsosur, që shumë shpejt rezltoi si një sukses i madh.
– TË SHKRIHET NË GOJË, FALË NJË TEKNIKE TË SHPIKUR NË VITIN 1879. Çokollata zvicerane ka edhe një cilësi që e garanton suksesin e saj. Rodolphe Lindt krijoi një metodë e njohur si ‘conching’ që e bën çokollatën më të butë dhe me aromë. Përmes kësaj metode, Lindt synonte ta krijonte çokollatën e parë ‘që shkrihej në gojë’. Për këtë shpikje, ai e paraqiti patentën në vitin 1879, kur edhe po udhëhiqte një fabrikë çokollatash në Bernë, përcjell albinfo.ch.
– NJË INDUSTRI KRIJUESE, GJITHMONË NË KËRKIM TË GJËRAVE TË REJA. Industria e çokollatës zvicerane u themelua me traditë, por gjithmonë është në kërkim të gjërave të reja. Recetat dhe teknikat e reja zhvillohen rregullisht. Këto ndryshime të vogla bëhen me qëllim të përmirësimit të cilësisë së prodhimit. Shkencëtarët po ashtu po e japin kontributin e tyre me metoda të reja, duke i ndarë të gjeturat me industritë – sikurse një grup punues i çokollatës, i udhëhequr nga Erich Windhab, profesor në institutin ETH Zurich.
– STANDARDE TË LARTA TË CILËSISË, TIPIKE ZVICERANE. Në përgjithësi, produktet zvicerane janë të njohura për cilësi, e këtu nuk bën përjashtim as çokollata. Sipas “Chocosuisse”, një çokollatë me cilësi të lartë, duhet të të shkrihet në gojë, pa lënë ndonjë shije të ‘rërës’ në gojë. Konsumatori duhet të ketë mundësi ta shijojë edhe aromën e çokollatës. Shoqata “Chocosuisse”, e përbërë prej 18 kompanive, ka për qëllim sigurimin e cilësisë, përcjell albinfo.ch.
– VETË ZVICERANËT KONSUMOJNË SASI TË MËDHA TË ÇOKOLLATËS. – Kur vjen puna për të mbështetur industritë kombëtare, zviceranët janë ‘ekspertë’ në këtë fushë dhe nuk kanë nevojë për ndonjë inkurajim. Me një konsumim vjetor prej 11-12 kilogram çokollatë për kokë banori, zviceranët renditen në mesin e shtetasve më ‘të dashuruar’ pas çokollatës.