Lajme

Vazhdojnë provokimet nga serbët në Veri, ky është veprimi i fundit i bërë në Leposaviq

09/28/2021 19:52
nga:Y I

Ka hyrë në ditën e nëntë situata e krijuar në veri pas vendimit të Qeverisë për të vendosur reciprocitet ndaj targave për të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Qytetarët serbë të cilët janë vendosur në tenda e të cilët kanë bllokuar rrugët drejt pikëkalimeve Bërnjak e Jarinjë, po bëjnë provokime nga më të ndryshmet.

Përveç vendosjes së banderolave me mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe” në pjesën veriore, pastaj në Shtërpcë, Ranillug e Novobërdë, sot në Leposaviq është vendosur një banderolë në gjuhën serbe me mbishkrimin “Ai snajper do të jetë i yni”, i shoqëruar me 4 C-jat serbe.

Kjo banderolë nuk është se e ka nxitur ndonjë reagim, ndonëse forcat e KFOR-it dhe ato të EULEX-it janë parë duke vëzhguar situatën.

Forca amerikane, kanadeze e polake të KFOR-it kanë mbërritur dje në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Jarinjë.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” edhe KFOR-i, të cilët thanë se është rritur numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve që po bëhen në gjithë Kosovën, duke përfshirë edhe veriun.

Për të zbutur situatën, dje komandanti i KFOR-it zhvilloi takime me palët e përfshira në këtë situatë për të gjetur një zgjidhje.

Ai propozoi disa masa, ndër to zëvendësimin e forcave speciale me forca të KFOR-it.

Por, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha sot se ai propozim nuk u pranua nga pala serbe, gjë që, sipas tij, tregon se barrikaduesit kanë qëllime tjera.

E tërë kjo situatë në veri është krijuar pasi Qeveria e Kosovës më 20 shtator vendosi reciprocitet ndaj targave të automjeteve të Serbisë, gjë që shkaktoi edhe protesta nga ana e qytetarëve serbë tash e nëntë ditë.

Sipas këtij vendimi, të gjithë ata që hyjnë nga Serbia në Kosovë duhet që të pajisen me targa të përkohshme “RKS”.