Takimin e nesërm mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, ku përveç përfaqësuesve të BE-së, pritet të jetë edhe një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka komentuar në një bisedë për Gazeta Blic, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Deputeti i PDK-së, ka përmendur tre pikat që sipas tij, delegacioni i Kosovës, duhet t’i paraqes në takimin e nesërm.
Hoxhaj e përshëndet aksionin në veri për vendosjen e reciprocitetit të targave, por thotë që ky veprim nuk po mbështetet me një qasje strategjike sa i përket dialogut.
Deputeti Enver Hoxhaj, thotë se delegacioni i Kosovës duhet ta shfrytëzojë situatën në teren.
“Vendimi për targat është një veprim i drejtë, por është një vendim taktik që nuk mbështetet me një qasje strategjike të plotë sa i përket dialogut. Sa pari: kjo ka të bëjë se a do të zbatojë qeveria të gjitha marrëveshjet e nënshkruara apo vetëm këtë të lëvizjes së lirë? Së dyti: Kosova mind të merr mbështetje nga partnerët ndërkombëtar për situatën në veri të vendit dhe të përfiton nga dialogu, nëse e prezanton një platformë për dialog ku kryetema është njohja e ndërsjelltë, si marrëveshje përfundimtare. Jo me dialog teknik, por vetëm marrëveshje finale në mës të dy shteteve. Këtu mvaret se a ka qeveria vizion, vullnet dhe vendosshmëri për këtë temë. Së treti, situata e re në pikat kufitare nëse krijimi i fakteve në teren shoqërohet me diplomaci aktive për të siguruar mbështetje të shteteve vendimarrëse në NATO dhe BE. Dhe kjo ndodhë duke komunikuar me këto shtete, vizituar ato dhe duke ofruar qëndrim me shkrim”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj thekson se është e qartë që në këtë dialog duhet të ketë zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, edhe për shkak që siç tha ai: status quo, po shihet që nuk prodhon situatë të lakmueshme.
“Politika e jashtme as nuk guxon të reduktohet në dialog e as dialogu vetëm në vendim për targat. Situata e re duhet të përdoret nesër dhe në të ardhmen, për të krijuar momentum të ri për marrëveshje finale. Sepse po shihet që status quo është e paqëndrueshme dhe se çdo krizë është mundësi e re, nësë qasje është ndërtuar me një veprim dhe një mendim të plotë strategjik, përtej targave si veprim taktik”, përfundoi Hoxhaj.


