Është një shpërblim i mjaftueshëm vet fakti që ju keni arritur të festoni në ditëlindjen tuaj të 100-të, por marrja e një makine luksoze Bentley për dhuratën e njëqindvjetorit tuaj është “qershia mbi tortë”.
Dhe ajo do të ishte edhe më e veçantë sidomos kur është ajo që keni përdorur për të vozitur dikur, siç ka ndodhur me rastin e një britaniku.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Eddie Hughes nga Lacock, Britani e Madhe, u befasua nga familja e tij kur i dhanë çelësat e një Bentley S3 që ai voziste si shofer në vitin 1964.
Hughes e kishte marrë makinën nga fabrika për punëdhënësin e tij dhe e kishte vozitur atë për një vit para se të kalonte në një punë tjetër.
Djali i tij Ron, 69 vjeç, filloi kërkimin për të gjetur makinën dy dekada më parë pasi babai i tij i tha se “ishte makina më e mirë që ai kishte drejtuar ndonjëherë”.
Ron i tha SWNS se ai kishte kontaktuar klubet Bentley në të gjithë botën gjatë viteve, por vetëm kur djali i tij, James, kohët e fundit futi numrin e regjistrimit në një kërkim në Google dhe gjeti makinën për shitje në SHBA – ata ishin në gjendje për ta gjetur atë.
Ata blenë sedanin ngjyrë kafe nga Beverly Hills Car Club dhe e dërguan atë në Mbretërinë e Bashkuar për një total prej 44,000 dollarë para se ta dërgonin në dyqan për ta riparuar.
“Makina ishte shumë e kompletuar me pjesët e saj origjinale, por gjendja e saj e funksionimit ishte e dobët derisa të rregullohej”, tha Ron.
“Unë thjesht nuk mund ta besoja. Ishte e mrekullueshme ta shihja përsëri”, tha Eddie.