Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi sot në Nju Jork, se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga përpjekjet e saj për destabilizimin e rajonit.
Ajo këto komente i bëri gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Irlandës, Simon Coveney, ku mori pjesë edhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla.
Osmani e falënderoi ministrin e Irlandës për përkrahjen e vazhdueshme dhënë Kosovës.
“Suksesi i Kosovës është sukses i përbashkët i popullit të Kosovës dhe aleatëve tanë. Tani ne duam të hapim kapitull të ri në marrëdhëniet tona”, tha Osmani.
Ajo theksoi se shpreson që Irlanda si përkrahëse e arritjeve të Kosovës, do të vazhdojë të jetë zë përkrahës për Kosovën në institucione ndërkombëtare, si dhe do të ndihmojë Kosovën në perspektivën e saj euroatlantike.
Presidentja e njoftoi ministrin Coveney edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ajo theksoi se Kosova ka qenë vazhdimisht palë konstruktive në këtë proces, madje ka dhënë shumë propozime konstruktive, për çështje të ndryshme. Ajo e ritheksoi kërkesën që dialogu duhet të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.