Lajme

BE për situatën në veri: Borrell mbrëmë ishte në kontakt me Kurtin e Vuçiqin

09/21/2021 19:47
nga:M K

Prej ditës së djeshme e gjithë vëmendja është fokusuar në veri të Kosovës, saktësisht në pikën kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ku serbë të shumtë kanë bllokuar rrugën në shenjë kundërshtimi për vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë, për targat e automjeteve.

Lidhur me këtë gjatë ditës së djeshme pati një reagim nga Bashkimi Evropian, ku u tha se duhet të ulen tensionet në mes dy shteteve.

Por përpos kësaj, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se pas aplikimit te reciprocitetit BE-ja është duke vazhduar monitorimin e situatës në teren.

Poashtu ai ka bërë thirrje për të dyja palët si Kosovën por edhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

Ai gjithashtu bëri të ditur se përfaqësuesi i BE-së, Josep Borrell ka kontaktuar të dyja palët përfaqësuese atë të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me situatën.

“Vazhdimisht jemi në monitorim të situatës në terren dhe i bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë mbrëmjes së djeshme ishte në kontakt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ende është në Serbi dhe po vazhdon punën me të dyja palët”, tha ndër të tjerash Stano.

Poashtu ai tha se janë të gatshëm që të presin një takim dypalësh në Bruksel, në çdo kohë.

Edhe në këto orë në Jarinje situata vazhdon të jetë e qetë, vetëm se shumë serbë vazhdojnë të jenë të grumbulluar në këtë vend duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Të njëjtit vazhdojnë të provokojnë shpesh herë njësitë policore të cilët po përkujdesen për situatën në këtë anë.

Pavarësisht kësaj, vendimi për reciprocitet është duke vazhduar kurse nga Ministria e Punëve të Brendshme është bërë e ditur se brenda 24 orëve janë lëshuar 1 mijë 554 targa të përkohshme.