Policia e Kosovës, pas hetimeve intensive të kryera ndaj të dyshuarave të përfshirë në veprat penale fajde dhe detyrim, më 15, 16 dhe 17 shtator në tri raste të ndara në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ka realizuar operacione policore ku janë arrestuar në flagrancë tetë të dyshuar.
Të arrestuarit në këto operacione policore janë H.T., (1967); A.V., (1964); A.Ç., (1979); Rr.B., (1971); B.M., (1966); E.M., (1990); B.M., (1981) dhe S.M., (1970).
Bazuar në urdhëresën e gjykatës kompetente, në tri rajone, në gjithsej tetë lokacione, janë bërë kontrolle të shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarve me qëllim të mbledhjes së provave materiale që lidhen me rastet.
Gjatë operacioneve janë sekuestruar këto gjëra: 44 mijë e 150 euro, në llogaritë e të dyshuarave janë ngrirë mbi 61 mijë euro, dy revole, një pushkë e gjuetisë, 106 fishekë (kalibra të ndryshëm), tri vetura, fletore dhe dokumente të ndryshme relevante për rastet dhe shtatë telefona.
Të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.