Lajme

​Iu mori nga 250 euro emigrantëve, ndalohet 34-vjeçari nga Korça i shpallur në kërkim

09/16/2021 14:06
nga:M K

Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim është ndaluar pasi akuzohet për dhënie ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Në kuadër të operacionit policor “Perimetri”, u bë i mundur ndalimi i tij pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendimin e datës 15.09.2021, ka caktuar për të masën e sigurisë arrest në burg.

34-vjeçari i identifikuar me inicialet S.B., banues në Korçë, akuzohet për veprat penale ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim dhe mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 18.07.2021, ku 34-vjeçari kur ka konstatuar se ishte nën ndjekjen e policisë, ka braktisur mjetin furgon tip “Benz”, në afërsi të vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në Pogradec, brenda të cilit u gjetën 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 250 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme./tch