Lajme

Kryeministrit britanik i vdes nëna

09/14/2021 08:18
nga:Q R

Charlotte Johnson Wahl, nëna e kryeministrit britanik, Boris Johnson, ka vdekur në moshën 79-vjeçare.

Piktorja e portreteve vdiq të hënën në një spital të Londrës “papritmas dhe në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratën e familjes.

Kryeministri Johnson më parë ka thënë se nëna e tij ishte “autoritet suprem” në familje. Në konferencën e Partisë Konservatore më 2019, ai tha se nëna e tij ia kishte mësuar “rëndësinë e barabartë, dinjitetin e barabartë, vlerën e barabartë të secilës qenie njerëzorë në planet”.

E lindur më 1942, ajo ishte e bija e avokatit Sir James Fawcett, i cili në vitet e shtatëdhjeta kishte shërbyer si kryetar i Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut, shkruan The Guardian.

Zonja Johnson kishte shkuar në Shtetet e Bashkuara, ku ishte njoftuar me Stanley Johnson, me të cilin u martua më 1963. Ajo u kthye më pas në Britani për t’i përfunduar studimet.

Në moshën 40-vjeçare, zonja Johnson Wahl ishte diagnostikuar me sëmundjen e Parkinsonit, por prapë e kishte vazhduar pikturimin.

I vetmi rast kur dihet se ajo kishte kërkuar nga i biri që ta përdorte ndikimin e tij politik ishte kur ai shërbente si kryetar i Londrës, duke i thënë që të sigurohej që autobusët të mos lëviznin derisa të uleshin të gjithë, sepse “nëse je me nevoja të veçanta, shpesh rrëzohesh”.

Sot mblidhet Komisioni për Shëndetësi, diskutohet për gjendjen me COVID-19