Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka qenë e vetmja përfaqësuese e shoqërisë civile nga Kosova, në takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me përfaqësues të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Gazeta Blic.
Krasniqi ka dhënë detaje mbi temat që janë diskutuar me kancelaren Merkel, mbi Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Jeta Krasniqi nga KDI, theksoi se ka kërkuar nga kancelarja gjermane, që të punohet më shumë në dialogun mes Kosovën dhe Serbisë dhe që fundi i këtij procesi të jetë domosdoshmërisht njohja reciproke mes dy vendeve.
Ajo e ka vlerësuar lartë faktin që kancelarja gjermane, në fund të karrierës së saj politike, ka shprehur gatishmëri që t’i takojë përfaqësuesit e shoqërisë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe porositë që i jep për këto shtete.
“Ka qenë një takim shumë konstruktiv. Kemi biseduar për shumë çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kosovën. Që nga dialogu, e deri te zhvillimi ekonomik, ishin diskutime që i kemi bërë me kancelaren Merkel. është jashtëzakonisht veprim i mirë që zonja Merkel, si zonja më e fuqishme në botë, ka gjetur kohë dhe hapësirë që të flas më shoqërinë civile të gjashtë vendeve të Ballkanit. Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ajo që kemi biseduar është që fundi i këtij procesi të jetë njohja reciproke. Kemi folur edhe për një pjesmarrje më të madhe të shteteve europiane dhe jo vetëm në këtë proces dhe që fundi i tij të jetë njohja reciproke mes dy vendeve. Diskutime tjera kemi pasur edhe për sundim të ligjit në Kosovë në veçanti dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. është e rëndësishme që ne si Kosovë, të punojmë edhe më shumë që të arrijmë rezultate sa më të mëdha në aspekt të sundimit të ligjit dhe në shumë cështje tjera. Tani, nuk mund të jap detaje tjera sa i përket përmbajtjes apo deklaratave të zonjës Merkel në takim, për shkak që nuk lejohen këto gjëra të dalin në publik”, ka thënë Jeta Krasniqi për Gazeta Blic.
Merkel, do të qëndrojë nesër në Tiranë, ku do të takohet me liderë të Ballkanit Perëndimor.
Sipas agjendës së publikuar nga zyra e shtypit e kryeministrisë, në orën 10:20 do të zhvillohet ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave.
Në orën 10:30 do të zhvillohet takimi kokë më kokë mes kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave.
Në vijim, në orën 11:00 do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave.
Në orën 11:50 parashikohet mbërritja e Kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park, ndërsa në 11:55 do të jetë mbërritja e Kancelares Merkel në Tirana Business Park.
Në orën 12:00 do të realizohet ‘Foto Familjare’ me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.
Në orën 14:35, Kryeministri Rama dhe Kancelarja Merkel do të japin një konferencë për shtyp po në ambientet në Tirana Business Park.
@Gazeta Blic


