Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuza ndaj Qeverisë së Kosovës për mos punë. Nënkryetarja e këtij subjekti politik, Shqipe Mjekiqi deklaroi për KosovaPress se kabineti i Kurtit është i paqartë në veprime. Ajo thotë se me Serbinë kërkohet një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje të ndërsjellë, ndërsa ka kritika edhe për procesin e shkarkimit dhe vonesat në emërimin e ambasadorëve të rinj si dhe për menaxhimin e situatës me pandeminë.
Duke u ndalur të takimi i nivelit të ekspertëve në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Mjekiqi i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje për gjetjen e trupave të personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“I takon Qeverisë së Kosovës të negociojë me palën tjetër dhe të sigurojë sepse ju, iu referuat edhe çështjes specifike që të arrihet një zgjidhje që të çojë në identifikimin e personave të cilat janë ende të zhdukur, ose mbetjet e tyre janë ende të zhdukura dhe familjet e tyre duhet të dinë se ku janë. […] 3:31 Për ne është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse me Serbinë që do të çojë në njohjen e ndërsjellët të dy vendeve në kufijtë aktualë dhe t’i adresojë çështjet e tjera me rëndësi siç ishte kjo e personave të zhdukur”, thotë ajo.
Mjekiqi thotë se në këta muaj qeverisje, ekzekutivin e ka karakterizuar vetëm pasiviteti në menaxhim dhe mungesa e transparencës.
Ajo kritikon edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për vonesat në emërimin e ambasadorëve në vendet mike të Kosovës.
“Ajo që e karakterizon këtë gjashtëmujor është mungesa e transparencës, e informacioneve për çështje të ndryshme. Pastaj nuk dihet se cilat janë prioritetet e kësaj qeverie, gjatë fushatës zgjedhore deklaronin se pandemia është prioriteti numër 1, pastaj doli dialogu prioriteti kryesor. Prandaj unë shoh më tepër pasivitet sesa aktivizim të qeverisë. […] 5:48 Nuk e kuptojmë arsyen pse kanë mbetur ambasadat pa përfaqësim. Fillimisht është dashur të jepet një vlerësim për ambasadorët që janë shkarkuar nga detyra që të dimë për performacën e tyre. Njëkohësisht të sigurohet qeveria që do të emërojë ambasadorët e tjerë në mënyrë që mos të mbetet pa përfaqësim vendi ynë”, thekson Mjekiqi.
Sipas nënkryetares së LDK-së, Qeveria Kurti po dështon edhe në menaxhimin me pandeminë COVID-19. Ajo akuzon ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia se përveç punës së dobët për të menaxhuar me pandeminë, mori guximin në një moment delikat të kandidojë për kryetar të Komunës së Prishtinës.
“Kur i shohim numrat dhe kur i shohim rastet e vdekjes fatkeqësisht që kanë ndodhur si pasojë e menaxhimit jo të mirë të qeverisë nuk mund të themi se ka bërë një punë të mirë. Ajo që e thash pak më parë se qeveria nuk ka aftësinë për të menaxhuar me disa punë të njëjtën kohë, përfshirë edhe këtë të pandemisë. Ne kemi një ministër i cili përveç punës së dobët dhe keqmenaxhimit të pandemisë tash planifikon të kandidojë për kryetar komune, në një situatë që nuk është periudha më e mirë për ta bërë një gjë të tillë”, shton ajo.
Zërat për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, Mjekiqi i quan të dëmshme, pasi sipas saj për demokracinë e vendit është tejet e rëndësishme që të njëjtat të mbahen.
“Është mjaft me rëndësi që zgjedhjet të mbahen, ne kemi një cikël të rregullt të zgjedhjeve të paktën në nivelin lokal, pasi në nivelin nacional mesatarisht kemi zgjedhje çdo tri vjet. Është me rëndësi të mbahen sepse ky është një prej mekanizmave kryesorë që qytetarët i mbajnë në llogari përfaqësuesit e tyre, aq më tepër në nivel lokal. […] Kemi pasur rastin në fillim të vitit ku zgjedhjet po ashtu janë mbajtur në një situatë pak a shumë të ngjashme dhe me masa adekuate për të siguruar një proces të mirë dhe që menaxhohet lehtë”, thotë Mjekiqi.
Lidhur me pozicionin e LDK-së para zgjedhjeve lokale, nënkryetarja Mjekiqi, thotë se në bazë të sondazheve partia e tyre ka rritje elektorale.
“Në bazë të sondazheve, mendojmë se do të kemi një rritje nga rezultati që e kishim nga zgjedhjet nacionale. Unë mendoj se rezultati në zgjedhjet lokale nuk përkthehet njëjtë ose reflektohet nga rezultati i zgjedhjeve nacionale. Kështu nuk mund të presim rezultate të ngjashme, mirëpo në nivel të përgjithshëm do të kemi një rritje në bazë të hulumtimeve të shpeshta që do t’i bëjmë. Kjo është një rezultat i ndryshimeve që kanë ndodhur në nivelin qendror, por edhe në nivelin lokal, pasi kemi propozuar disa kandidatë dhe figura të reja që tani kanë një popullaritet të madh në mesin e qytetarëve dhe presim që të fitojnë”, pohon ajo.
Nga nesër punonjësve të institucioneve publike u kërkohet certifikata e vaksinimit ose teste